Arber Ibrahimi
Ky nuk është një shkrim shkencor, prandaj nuk është nevoja të citohen shkencëtar e filozof, apo edhe te tille qe i shkruan luftës si: Hemingwey apo Machiavelli.
Ky shkrim nuk është i sponsorizuar, prandaj nuk përmban as vendosje te produkteve, madje ky shkrim nuk përmban as demagogji, prandaj është e nevojshme mos me qenë cinik…të tjerat vijnë e shkojnë!
Ndonëse kishin kaluar 16 vite qe kur kishte ndodhur beteja e Koshares, ndër betejat më të rëndësishme te luftës çlirimtare, unë ende nuk e kisha mundësinë ta vizitoja këtë vend. Pas gjashtëmbëdhjetë viteve që kur kishte ndodhë kjo betejë, mu dha rasti që të jem fizikisht aty, aty ku kisha dëgjuar gjithçka për piedestalet e lavdisë e trimërisë, heroizmit e strategjisë, po që asnjëherë nuk e kisha parë aq afër. Kjo vizitë kishte një domethënie tjetër, ngaqë me mua nuk ishte ciceroni, por vetë protagonistët e lavdisë. Takova një grup burrash bashkëqytetar te mi nga Ferizaj, kryesisht të moshës së mesme, mes tyre shumica të pa njohur për mua, me të cilët u nisëm për Koshare.
Këta që dikur kishin qenë pjesë e luftës në Koshare, u benë ciceronët e lavdisë.
Rrugës mbretëronte atmosferë më tepër se miqësore, ata dukeshin sikur njiheshin që të vegjël mes vete, sikur të ishin familje, sikur të ishin të gjakut, apo ndoshta miqësia mes tyre kishte po këtë lidhje shkaku i gjakut te derdhur për liri, aty ku edhe u ngjiz miqësia mes tyre.
Pas pak çastesh qe ne mbërritëm aty, filloi ceremonia zyrtare, ata as qe u afruan te dëgjonin fjalimet, sytë e tyre ishin mbi varret e bashkëluftëtarëve dëshmorë, mbi kokat e te cilëve rrinin familjaret e tyre. Përshëndetjet me familjaret e dëshmorëve qartazi tregonin afërsinë emocionale qe kishin, sikur ia dinin hallet njeri-tjetrit. Derisa ne sfond shkonin fjalimet e ceremonisë, këndej vazhdonin përqafimet mes tyre, pa ia vene veshin se kush çka fliste ne foltore. Takoheshin edhe me bashkëluftëtarë te tjerë qe nga përfundimi i luftës nuk ishin pare me, madje kishte raste kur edhe kishin harruar fytyrat e njeri-tjetrit teksa pseudonimet rikthenin kujtesën e humbur mes brengave te jetës. Derisa fjalimet vazhdonin, ata as qe e vërenin ketë, teksa nuk priten as përfundimin e ceremonisë meqë siç thoshin: ne nuk jemi këtu për fjalime, por për nderime.
U nisëm malit përpjetë. Bora si asnjëherë tjetër ishte aty për të n ‘a e vështirësuar ecjen. Ndoshta kjo ishte dënim për mua, që për kaq vite nuk e kisha vizituar, apo ndoshta ishte një bukuri shtesë që të me bënte ta dua më tepër.
Ndoshta bora ishte një tjetër gjë që ne s’po e kuptonim, në mungesë të përkujdesjes institucionale, ajo po tentonte të mbronte lavdinë nga këmba e atyre profiterë që e shkelën tani e gjashtëmbëdhjetë vite rresht.
Derisa ngjiteshim me mjaft vështirësi drejt kufirit me Shqipërinë (kufi ky që për ta nuk ekzistonte qysh nga vitin 1999) ata më treguan se si dhe kah kishin luftuar, ku ishin istikamet e tyre, madje ishin në gjendje të tregonin me detaje deri emrat e gdhendur ne lisa. Përkundër që paslufta nuk ishte treguar e mirë me shumicën prej tyre, ata me mburrje tregonin për lavdinë e shokëve të tyre dhe asnjëherë për vete. Ani pse pjesa dërmuese kishin lë luksin e shteteve te Evropës, e disa prej tyre mundësi të një fillimi të ri, ata asnjëherë nuk ishin penduar. Për vete thoshin se nuk e bënë për ta përmendur, po se e kishin obligim, por megjithatë në sytë e tyre vërehej zhgënjimi dhe mospërfillja e institucioneve.
Por trishtimi nuk mbaron me kaq. Zhgënjimi ne institucione nuk ishte shokues për mua, por me gjasë as për ta, meqë prej institucioneve kishin kohë që i kishin qu duart. Trishtuese ishte frika, kjo fjali që për ta nuk kishte kurrfarë domethënie para gjashtëmbëdhjetë vitesh, madje as përballë vdekjes nuk përfillnin atë-frikën. Frika e tyre ishte kjo: Respekti për ta po venitet! Ma tha njëri :” jo se kam luftu me u livdu, e as për me thanë se e kam ba namin, se nuk e kam ba, thjeshtë pak respekt, nuk po lypi respekt të veçante, po si për secilin njeri tjetër, po du që dikush që merr vesh se isha në luftë (se tybe vet kërkuj si kallxoj, veq nëse e marrin vesh vet) mos me m ‘thanë hajt se nuk e ke ba namin, qe veq qekaq po lypi” Këto fjalë po i dëgjoja prej një djali që për gjashtëmbëdhjetë vite rresht, kishte refuzu me ua dhanë fotot e luftës bashkëluftëtarëve të tij, me frikën se po i shpërndanin në rrjete sociale, madje të vetmen foto që i kishte dhënë djalit te axhës, me të cilin ishin bashkë në luftë, e kishte hijezuar fytyrën e vetë. Me tha: ” jo o burrë, nuk dua me menu dikush që po shes men, s’ du me thanë njerëzit: qe ky e ka ba namin, po shet men tash”. Pata rastin me i pa disa foto sepse ky djalë po kompletonte dokumentacionin, meqë statusi i veteranit i ishte refuzuar.
Përkundër dërrmimit që u kishte bërë jeta, ata vazhdonin të ruanin lidhjet mes tyre. Konsideronin që lidhja mes tyre është me e forte se mes vëllezërve biologjik, se aty i bashkoi diçka më e forte se thjeshtë një mitër.
Ideali dhe dashuria për atdheun ishte ajo qe dikur i bashkoi më të fort se kurdoherë.
Erdhi koha që të kthehemi. U nisëm. Derisa ne zbrisnim poshtë Koshares, fytyrat e tyre nuk ndanin pamjen e maleve, sikur flisnin në heshtje, apo ndoshta dhe u përshëndetën me përshëndetje ushtarake, ashtu në heshtje, për të nderuar kushtrimin që i lëshuan njëri-tjetrit para gjashtëmbëdhjetë vitesh, kushtrim ky që do të përcillet nëpër breza e do të mbetet përherë ankth i armikut.
Sot, gjashtëmbëdhjetë vite pas, NE shijojmë frytet e gjakut e sakrificës së atyre…ne që u bëmë pjesë e harresës kolektive…NE që u bëmë pjesë e përbuzjes kolektive…NE, n ‘a faltë Zoti.
Autori nuk është nacionalist i verbuar, por është thjesht falënderues dhe mirënjohës për të gjithë ata që kontribuuan për vendin e tij… FALEMINDERIT!