Korrupsioni vazhdon të jetë sfidë kryesore e institucioneve të Kosovës, sfidë kjo që figuron në çdo raport ndërkombëtar dhe vendor, derisa lufta kundër kësaj dukurie vazhdon të jetë kryesisht vetëm verbale, si nga zyrtarët më të lartë të vendit ashtu edhe nga institucionet dhe asociacionet e ndryshme, të deklaruara për luftimin e korrupsionit.
Shkalla e lartë e korrupsionit ka bërë që Kosova në vitin 2012 nga organizatat ndërkombëtare të shpallet “kampione evropiane për korrupsion” dhe për ta luftuar këtë fenomen, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në shkurt të vitit 2012 pat themeluar Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, formimin e të cilit e pat paralajmëruar me një pompozitet të madh. Por korrupsioni po vazhdon ta ngufatë Kosovën në të gjitha nivelet.
Ky këshill, i menduar për bashkërendimin e punës dhe aktiviteteve të institucioneve e agjencive për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, mbajti dy-tri mbledhje dhe efektet e tyre e as të këshillit askush deri më sot nuk i vlerësoi.
Niveli i luftimit të korrupsionit edhe në këtë këshillin e Jahjagës që mbanë emrin e madh – Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, mbeti vetëm në nivel të luftimit me fjalë e jo me veprime.
Por, siç do të ironizonte në stilin e tij, kryetari i lexhendar i Partisë së Fortë, Visar Arifaj, të qeniet në krye të këtij këshilli e motivoi presidenten Jahjaga të paraqitet vetë si protagoniste e video-spotit që po emitohet për çdo ditë në televizionet tona.
Arifaj ka frikë se ky video-spot, për të cilin janë dhënë shumë para të taksapaguesve të Kosovës, do ta luftoj “rrast” korrupsionin dhe pastaj do të bie efikasiteti në punë kudo.
“Luftimi i kësaj dukurie ndoshta do ta çonte Kosovën një hap përpara në përmirësim të imazhit, por dy hapa mbrapa në efikasitetin e kryerjes së punëve”, thotë Arifaj për KosovaLive dhe shton se tashmë dihet se asnjë punë nuk mund të kryhet pa korrupsion.
Sipas kryetarit lexhendar, Arifaj, kjo është arsye që Paria e Fortë, të cilën ai e drejton, nuk e sheh prioritet luftimin e korrupsionit.
Safet Zejnullahu, nga Departamenti i Informacionit dhe komunikimit publik i Presidencë, ka thënë për KosovaLive se Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, ka arritur që të bashkërendojë të gjitha institucionet dhe mekanizmat e mandatuara për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, pasi sipas tij, për vite të tëra nuk ka pasur koordinim ndërmjet tyre.
Sipas tij, presidentja Jahjaga, në javët e fundit, ka takuar edhe kryeministrin, por edhe ministrat e tjerë të qeverisë, përfshirë edhe mekanizmat për luftimin e korrupsionit dhe ka kërkuar shtim të efikasitetit dhe rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.
Njohësit e çështjeve të drejtësisë vlerësojnë se sundimi i ligjit dhe forcimi i gjykatave është ndër faktorët kyç që do të ndikonte që korrupsioni të mos zë vend në institucionet e Kosovës. Ata problem kryesor për këtë nivel të lartë korrupsioni e shohin mungesën e llogaridhënies në përgjithësi në Kosovë, e sidomos në sistemin e drejtësisë.
Betim Musliu, nga Instituti për Drejtësi i Kosovës (IKD), thonë për KosovaLive se ajo që ka munguar dhe mungon edhe sot në Kosovë, është mungesa e llogaridhënies në përgjithësi, sidomos në sistemin e drejtësisë, i cili sipas tij, vazhdimisht ka pasur mungesë të rezultateve dhe në të njëjtën kohë askush nuk është mbajtur përgjegjës.
“Duke u nisur nga ky parim kam besuar dhe besoj se presidentja Jahjaga nuk mund të kontribuoj më shumë për shkak të kufizimeve ligjore që ka, sepse ajo nuk mund të mbajë llogaridhënës as gjykatësit e as prokurorët, pasi ata janë totalisht të pavarur në ushtrimin e funksioneve të tyre”, ka thënë Musliu.
Ai vlerëson se qëllimi për ngritjen e debatit nga ana e presidentes për luftën kundër korrupsionit në Këshillin e saj, është dashur të bëhet ndryshe.
Musliu është skeptik që kjo garniturë udhëheqëse e Kosovës mund të bëjë shumë në luftë kundër korrupsionit. Mund të mbushen burgjet me raste të korrupsionit për 100 euro ryshfet dhe vjedhje të pyllit, por zyrtarët e lartë për korrupsion të nivelit të lartë, sipas tij, do të mbesin të paprekshëm.
Deputetja Blerta Deliu, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për KosovaLive se korrupsioni luftohet atëherë kur ka mobilizim të të gjitha institucioneve për ta luftuar atë. Sipas saj, sundimi i ligjit dhe forcimi i gjykatave është ndër faktorët kyç që do të ndikonte që korrupsioni të mos zë vend në institucionet e Kosovës.
Për efikasitet të ulët në luftimin e korrupsionit në të gjitha nivelet tregon edhe një analizë që ka bërë, kohë më parë, Lëvizja FOL. Ajo ka vlerësuar se në luftimin e korrupsionit ka efikasitet të ulët dhe dëshmi për këtë konstatim ka përmendur se rreth 2.000 lëndë që lidhen me korrupsionin kanë mbetur të pazgjedhura nga prokuroritë dhe gjykatat në vitin 2014, ndërsa të dhënat për lëndë të korrupsionit tregojnë se policia, prokuroria dhe gjykatat gjatë vitit 2014 kanë trajtuar dhe pranuar në punë gjithsej 3.526 lëndë të tilla.
Edhe të dhënat e Zyrës së koordinatorit kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike tregojnë se për vitin 2014 vlera e përafërt e pasurive të ngrira ose të sekuestruara arrin në vlerën rreth 31 milionë euro. Nga to para të gatshme janë mbi 1 milion euro, ndërsa vlera tjetër përfshinë mbi 17 banesa, 8 vila, 11 shtëpi, 2 objekte ndërtimore, një hotel, 6 lokale afariste, 30 kg ari, si dhe restorante, fabrika, klinika, etj. Gjithashtu, për konfiskim të pasurisë janë 15 vendime të gjykatës, të cilat kapin shumën rreth 25 mijë euro.
Raporti i vlerësimit mbi përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare në fushën kundër korrupsionit, i cili i referohet periudhës nga qershori i 2013 e këtej vlerëson se shteti i Kosovës nuk i ka ndërmarrë ato veprime në luftën kundër korrupsionit, të cilat i janë kërkuar nga një ekip ekspertësh të kontraktuar nga Këshilli i Evropës (KE) dhe se brenda dy vjetësh janë zbatuar vetëm 4 nga 64 rekomandimet.
Në këtë raport thuhet po ashtu se autoritetet e Kosovës nuk kanë zbatuar fare ose kanë zbatuar pjesërisht pjesën më të madhe të rekomandimeve, shumica e të cilave kërkojnë ndryshimin ose miratimin e legjislacionit relevant kryesor, përderisa të tjerat thërrasin për zbatim efikas në praktikë të legjislacionit relativisht të ri. /KosovaLive/