Korrupsioni largon investitorët austriakë

E publikuar: 02/04/2015 22:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Zëri i Biznesit Austriak në Kosovë” ka prezantuar të enjten në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) rezultatet e anketës rreth kënaqshmërisë, kushteve dhe problemet me të cilat ndeshen bizneset austriake që veprojnë në Kosovë.
Atasheu ekonomik i vendosur në Shkup, Gerhard Schlattl, ka deklaruar se në Kosovë janë përmirësuar disa indikatorë, sidomos sa i përket dhënies së lejeve dhe licencave, por ende mbeten shumë sfida. Sipas tij, rezultatet e anketës japin një pasqyrë të qartë të problemeve me të cilat ballafaqohen kompanitë nga ky vend, të cilat kryesisht operojnë në lëmin e shërbimeve dhe tregtisë. “Në pyetjen se çfarë kërkojnë nga qeveria aktuale, kompanitë austriake janë shprehur se kërkojnë siguri më të madhe ligjore, mbrojtje të investimeve, luftë kundër korrupsionit dhe stabilitet politik”, ka theksuar Shllatll.

Ndërsa kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, ka theksuar se prioriteti numër një duhet të jetë ligjshmëria, pasi pa të nuk mund të ketë investime të huaja, por as zhvillim ekonomik të Kosovës. Sipas anketës, firmat austriake janë relativisht të kënaqura me procesin e marrjes së lejeve, fleksibilitetin e Ligjit të Punës, me Doganën,

Administratën Tatimore dhe me kualitetin e furnitorëve lokalë.
Situatën e mirë ekonomike në Kosovë e vlerësojnë 8 %, të kënaqshme 25 %, jo të mirë 50 % dhe të keqe 17 %. Asnjë nga të anketuarit nuk e ka vlerësuar situatën si shumë të mirë.

Edhe prognozat e tyre për situatën e ardhshme ekonomike në Kosovë janë: e njëjtë me vitin 2014 – 58 %, më e mirë se në vitin 2014 – 22 %, më keq se në vitin 2014 – 17 % dhe vetëm 3 % konsiderojnë se situata do të jetë shumë më e mirë sesa ishte në vitin e kaluar.

Në Kosovë veprojnë 109 kompani nga Austria. Anketimi është bërë gjatë periudhës dhjetor 2014 – shkurt 2015 dhe në të janë përfshirë kompani kryesisht të fushës së shërbimeve dhe të tregtisë. Investimet austriake në Kosovë deri më tani janë në vlerë rreth 160 milionë euro, ndërkaq shkëmbimet tregtare janë në nivel të ulët. Gjatë vitit të kaluar importi ishte në vlerë 35 milionë euro, kurse eksporti vetëm rreth 5 milionë./er/