Koronavirusi në Shqipëri, 8 të vdekur – rastet e reja në rritje

E publikuar: 10/11/2020 19:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë kryer 2723 testime, nga të cilat janë konfirmuar pozitivë me koronavirus 563 persona, ndërsa 8 pacientë kanë vdekur.

Për herë të parë, në raport, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se ka përfshirë të gjitha testimet që kryhen në Shqipëri, në strukturat publike dhe në laboratorët e licencuar.

Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 367 pacientë, 15 në terapi intensive, nga të cilët 3 të intubuar.

Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 255 raste në Tiranë, 56 në Gjirokastër, 43 në Shkodër, nga 24 raste në Korçë, Elbasan, 20 në Fier, 17 në Krujë, 11 në Sarandë, nga 10 raste në Pukë, etj.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 150 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 12,353 që nga fillimi i epidemisë.

Në 24 orët e fundit, kanë humbur jetën 8 qytetarë me Sars-Cov2 pozitiv në spitalet COVID: një 33-vjeçare nga Lushnja pa sëmundje bashkëshoqëruese, një 46- vjeçar dhe një 60-vjeçare nga Shkodra, një 65-vjeçar nga Prrenjasi, një 65- vjeçar dhe një 66-vjeçar nga Tirana, një 74-vjeçar nga Pogradec, një 76-vjeçar nga Durrës, me sëmundje bashkëshoqëruese.

Ndryshe, duke filluar nga nesër, do të kufizohet lëvizja e qytetarëve në të gjithë vendin nga ora 22:00 deri në 06:00, dhe në të njëjtin orar do të jenë të mbyllura baret, restorantet, lokalet përveç shërbimit delivery (shërbimi në banesë)./A2