Kontrolli i pasurisë së politikanëve i vështirë, pak të dënuar për mashtrim

E publikuar: 05/04/2015 23:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova, ka zyrtarë të ndryshëm shtetëror që janë pasuruar në kohë rekorde e të cilët shpeshherë nuk mund ta arsyetojnë pasurinë e tyre, raporton KTV. Megjithëse Kosova ka mekanizma të shumtë për parandalimin e pasurimit të paligjshëm, zyrtarë të ndryshëm arrijnë t’i ikin deklarimit të pasurisë së tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Megjithëkëtë dhe dënimeve minimale që shqiptohen ndaj zyrtarëve për deklarim të rremë të pasurisë, apo mosdeklarim, Ministria e Drejtësisë është duke bërë ndryshime në Kodin penal, pikërisht pikën për deklarimin e pasurisë.

Në bazë të ndryshimeve në projektligj, thuhet se mosdeklarimi i qëllimshëm është vepër penale. Mirëpo, futja e fjalës qëllimshëm, konsiderohet e papranueshme, sepse parashihet se mund të rrisë mundësinë e shfajësimit të zyrtarëve që fshehin pasurinë.

Kritika për ndryshimin e kuadrit ligjor, pati edhe kryeshefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, i cili gjatë prezantimit të raportit vjetor, ka kërkuar nga Qeveria që të mos ndryshohen ligjet.