Kontratat njëburimore, Rukiqi – Qeverisë: Çuditem nëse nuk nisin krahasimet me kohën e Titos, nga nostalgjia e padituria

E publikuar: 25/11/2024 19:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati të cilin e quan “ministër të propagandës”.

Krejt kjo pasi u publikuan kontratat njëburimore gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

“Ministri i Propagandës, në 24 orët e fundit, në përpjekje të daljes nga balta e korrupsionit masiv qeveritar, me tenderët sekret, po përmend sa një shifër, sa një tjetër, duke u krahasuar, hiç më pak se më vitin 2008”, ka thënë Rukiqi.

Ai tha se do të çuditet nëse nuk nisin krahasimet me kohën e Titos.

“Çuditem, nëse nuk ja nisin të na krahasojnë me Titon, pak nga nostalgjia, e pak nga padituria”, ka vazhduar ai.

Tutje, Berat Rukiqi tha se vështirë e ka qeveria të dalë nga balta ku ndodhet.

“Por kot. Vështirë e kanë me dal nga balta. 272,954,724.00 EUR është vlera e tenderëve sekret. Shifrat janë kokëforta. Asnjë graf imagjinar nuk e ndryshon këtë realitet të plaçkitjes të parasë publike”, ka thënë Rukiqi. /Gazeta Express