13 kontrata, të cilat e tejkalojnë vlerën e 1 milion eurove, ishin dhënë në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik nga komuna e Skenderajt.
E në 15 kontrata të tjera, zyrtari kryesor administrativ në komunën e Skenderajt i ka dhënë autorizim me shkrim zyrtarit të prokurimit për inicimin e procedurave të prokurimit, para nënshkrimit të deklaratës së nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve, praktikë kjo në kundërshtim me ligjin mbi prokurimin publik, raporton KTV.
Ndërsa, në 14 dosje të prokurimit, që përbënin vlerën totale të kontratave të nënshkruara mbi 700 mijë euro, emërimi i komisionit për vlerësimin e ofertave ishte bërë nga menaxheri i prokurimit. Për të gjitha këto gjetje të Auditorit të Përgjithshëm, opozita ka vendosur ta njoftojë Prokurorinë Speciale.
Të shqetësuar pasi askush nuk ndërmori veprime pas publikimit të këtyre gjetjeve, ata i grumbulluan dëshmitë dhe njoftuan Prokurorinë Speciale.
Në mesin e keqpërdorimeve, Prokuroria u njoftua edhe për kontratat e ujësjellësit dhe kanalizimit në fshatin Polac, ku për 8 vjet nuk kanë arritur të përfundohen projektet. Mirëpo, zyrtarët e komunës së Skenderajt janë të bindur se vërejtjet e auditorit kishin të bënin më shumë me çështje teknike.
KTV-ja ka kontaktuar me Prokurorinë Speciale, për të kuptuar nëse ka hapur procedurë hetimore ndaj këtyre rasteve, por ata nuk kanë dhënë përgjigje.
Përndryshe, në prill të këtij viti, kjo prokurori kishte nisur hetime ndaj komunës së Skenderajt, lidhur me dhënien në shfrytëzim të disa pronave publike. Megjithatë, më vonë Prokuroria e Shtetit, i ka kthyer përgjigjen dhe ka informuar se ajo i ka pranuar dosjet, transmeton Koha.net.
“Lënda do t’i dërgohet në kompetencë Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, si prokurori kompetente për hetimin dhe ndjekjen penale në atë rast”, është thënë në përgjigjen e prokurorisë.