​Kontrabandoi naftë nga Maqedonia e Veriut, kapet në flagrancë 31-vjeçari

E publikuar: 24/07/2025 14:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në vijim të punës së intensifikuar të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, gjatë sezonit veror, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, është goditur një rast i kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë.

Në aksin rrugor “Pustec-Bigëll”, në afërsi të pikës së vendkalimit kufitar Goricë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin M. P., ku gjatë kontrollit në automjet u konstatua një depozitë rezervë me një sasi nafte pa dokumente, raporton KosovaPress.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin M. P., 31 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin E. F., 46-vjeç, banues në Rogozhinë, doganier në Goricë, pasi dyshohet se nuk ka kryer kontroll në automjetin e shtetasit M. P.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.