Në Kosovë ekzistojnë konteste të shumta ndërmjet bizneseve dhe se ato biznese shpesh nuk iu drejtohen gjykatave për shkak të procedurave të stërzgjatura, kostos së lartë dhe sistemit joefikas të gjyqësisë, thonë përfaqësues të shoqatave ekonomike në vend.
Moszbatimi i kontratave, vonesat në pagesa janë disa nga mosmarrëveshjet ndërmjet bizneseve në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tregon për Radion Evropa e Lirë, se bizneseve iu vështirësohet zhvillimi i veprimtarisë për shkak të moszgjidhjes të konteste që kanë ndërmjet bizneseve.
“Meqenëse se jo të gjitha bizneset që operojnë në Kosovë, aplikojnë standarde të larta të etikës në biznes, atëherë vjen deri te një situatë ku shumë shpesh paraqiten konteste ndërmjet bizneseve. Natyra e këtyre kontesteve të bizneseve më së shumti lidhet me mosrespektimin e kontratave, marrëveshjet që ata kanë me njëri-tjetrin”, tregon Zeka.
Duke pasur parasysh që sistemi gjyqësor në Kosovë asnjëherë nuk ka funksionuar si duhet, shprehet Zeka, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në fund të vitit 2011 kishte krijuar qendrën e arbitrazhit që iu mundëson bizneseve që përmes kësaj qendre t’i zgjidhin mosmarrëveshjet.
“Në këtë qendër të arbitrazhit ka pasur raste, të cilat janë zgjidhur dhe numri i rasteve që kërkojnë zgjidhje në këtë qendër është në rritje. Shumica e kontesteve kanë qenë të natyrës, si mosrespektim i kontratës dhe vonesa e pagesave që është një problem tjetër i madh”, shton Zeka.
Kontestet komerciale, bizneset kosovare mund t’i zgjidhin përmes këtij Tribunali të arbitrazhit, sipas Zekës, pa iu drejtuar gjykatave.
Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tregon se ka shumë konteste komerciale që bizneset i kanë ndërmjet vete dhe që shumë herë ato nuk arrijnë të zgjidhen në gjykata.
“Ka pasur disa raste të kontesteve ndërmjet bizneseve që kanë shkuar në gjykata, por kjo e fundit është vonuar për zgjidhjen e tyre dhe kjo ka ndikuar që më vonë të tentojnë që ato mosmarrëveshje t’i zgjidhen sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, gjë që e ka dëmtuar imazhin e Kosovës dhe investimet nëvend”, tregon Shahini.
Sa i përket qendrave të arbitrazhit, të cilat funksionojnë në kuadër të shoqatave ekonomike, Shahini vlerëson se si të tilla ato kanë qëllim të mirë, por nuk mund të jenë në funksion të zgjidhjes së problemeve komerciale.
“Këto qendra nuk e kanë fuqinë dhe autoritetin e vet, dhe bizneset hezitojnë t’i zgjidhin problemet përmes tyre. Derisa gjyqësia nuk funksionon si duhet, derisa drejtësia është e brishtë në Kosovë të gjitha tentativat tjera janë më pak fuqiplotë për zgjidhjen e problemeve ndërmjet bizneseve”, vlerëson Shahini, raporton rel.
Kosova është kritikuar në raportet e ndryshme ndërkombëtare për mosefikasitet të gjykatave. Në njërin nga raportet e Bankës Botërore “Të bërit biznes”, ishte theksuar se zgjidhja e një kontesti tregtar ndërmjet bizneseve në vlerë prej 3 mijë eurosh, në Gjykatën Ekonomike të Prishtinë, zgjat 420 ditë, gjë që ishte konsideruar kohë e gjatë.