Glauk Konjufca
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kujtuar 24-vjetorin e masakrës së Rezallës, e cila konsiderohet si njëra ndër masakrat më të mëdha gjatë luftës në Kosovë.
Konjufca tha se në vend që Serbia të gjykohej për gjenocidin ndaj popullit shqiptar, sot Kosova ndodhet e ulur në bankat e drejtësisë dhe, sipas tij, kjo nuk është gjë tjetër veçse padrejtësi.
“Jemi në 24-vjetorin e masakrës së Rezallës, në një prej akteve gjenocidale më të mëdha që i ka bërë Serbia në Kosovë. Kjo së bashku me gjithë masakrat e kryera nga aparati shtetëror e ushtarak i Serbisë e përbëjnë gjenocidin që ky shtet e ka ushtruar mbi popullin e Kosovës. Këtu të gjitha po i kujtojmë në kohën kur nuk është Serbia ajo që po gjykohet dhe ta marrë dënimin e merituar, me gjithë ata kriminelë lufte që i mban brenda, por është pikërisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe pjesëtarët e saj, vetë Kosova është e ulur në bankën e drejtësisë, kjo nuk mund të përjetohet ndryshe veç si padrejtësi”, ka thënë Konjufca para gazetarëve, njofton Klankosova.tv
Sipas Konjufcës, 24 vjet pas masakrave, krimeve e gjenocidit ndaj popullit shqiptar, askush nuk e ka menduar se “do të ishim ne që duhet të arsyetojmë që nuk kemi qenë kriminelë dhe nuk kemi qenë agresori, por Serbia me gjithë ata ushtarë e policë që vranë qytetarë të pafajshëm, pleq, gra e fëmijë, veç pse ishim shqiptarë”.
Kryeparlamentari tha se liria ende nuk ka përfunduar sepse po i ka sfidat e veta.
Ai foli edhe për kërkesën e Serbisë që të mos përdoret termi “persona të zhdukur me dhunë”, në marrëveshjen në mes të dyja vendeve. Konjufca tha se ky term do të përdoret, ashtu si nëpër konventat ndërkombëtare dhe, sipas tij, Serbia e kërkon mospërdorimin e tij për t’i ikur përgjegjësisë.
“Informacioni im është që ky term do të përdoret në marrëveshje, pra termi ‘të zhdukurit’, siç përdoret nëpër konventa ndërkombëtare, sepse Serbia është munduar të përdorë terminologji të tjera për t’i ikur përgjegjësisë”, ka përfunduar ai.