Konjufca: Të anulohen marrëveshjet, ose të shkojmë në zgjedhje

E publikuar: 19/12/2015 09:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i grupit parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje!, Glauk Konjufca, ka thënë se Qeveria duhet të reflektojë dhe të ndërmarrë hapa konkretë për tërheqjen nga marrëveshjet e dëmshme.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Konjufca ka thënë se opozita nuk do të ndalet derisa të ndalet papërgjegjshmëria e Qeverisë. Ai ka bërë me dije se presidentes Jahjaga ia kanë paraqitur opsionet për dalja nga kriza aktuale.

“Sa iu takon opsioneve, ne i kemi paraqitur ato tek presidentja. Nëse Qeveria nuk merr hapa për tërheqje, atëherë ne kemi propozuar referendumin si mjet legjitim për zgjidhje. Nëse nuk e pranon as shprehjen e vullnetit të popullit të Kosovës për këtë çështje, atëherë duhet të shkojmë në zgjedhje”, është shprehur Konjufca.

Duke folur për përmbylljen e sesionit vjeshtor të punës së Kuvendit të Kosovës, ai ka thënë se nuk duhet harruar se nga momenti i betimit të deputetëve të kësaj legjislature Kuvendi dhe zgjedhja e organeve të tij për gjashtë muaj rresht u mbajtën peng nga Hashim Thaçi dhe PDK-ja, derisa Gjykata Kushtetuese vendosi me një vendim arbitrar sipas interesave të tyre.

“E, po ashtu, puna e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas koalicionit famëkeq PDK-LDK-Lista Serbe, ka qenë e dominuar prej metodave uzurpuese të Qeverisë. Sa iu takon kërkesave të opozitës për anulimin e marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe të 26 gushtit me Malin e Zi, ato janë legjitime referuar mandatit të deputetëve si dhe janë të mbështetura nga 205 254 nënshkrime të qytetarëve në peticionin e dorëzuar presidentes”, ka thënë ai.

Konjufca ka folur edhe për raportin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ai ka thënë se pas dhënies së konkluzioneve më 15 dhjetor nga Këshilli i BE-së, Komisioni Evropian paraqiti dhe tetë kriteret e papërmbushura nga Qeveria e Kosovës.

“Ato lidhen drejtpërdrejt me çështjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta të qeverisjes. Pra, ashtu siç kemi thënë me kohë, se metodat dhe premisat e qeverisjes alla Thaçi, të ndjekura me besnikëri nga Mustafa, janë e keqja e madhe e Kosovës”, ka deklaruar Konjufca.