Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Olivier Guerot.
Me këtë rast, Konjufca e ka uruar ambasadorin francez për marrjen e detyrës.
Kryetari Konjufca e ka falënderuar ambasadorin Guerot, për përkrahjen që Franca ka ofruar për Republikën e Kosovës në të gjitha proceset e shtet ndërtimit, zhvillimit dhe rrugëtimit drejt integrimeve evropiane.
Kryetari i Kuvendit tha se pret nga shteti francez mbështetjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, meqë janë përmbushur tashmë të gjitha kriteret e kërkuara. E po ashtu edhe përkrahjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës, BE, NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare.
Konjufca dhe ambasadori Guérot konfirmuan përkushtimin dhe gatishmërinë për thellim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në sfera të interesit të përbashkët.