Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjen Vetëvendosje, Glauk Konjufca, sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të bëjë pazare me shtetet përreth që çojnë në dëm të Kosovës, vetëm për të arritur te procesi i liberalizimit të vizave.
Sipas tij, në udhërrëfyesin e paraqitur për procesin e liberalizimit, thuhet që Kosova duhet të demarkojë kufirin me Malin e Zi, e në anën tjetër, ata veç i kanë patrullat e tyre brenda Kosovës.
Prandaj, Konjufca ka kërkuar nga Qeveria që të mos bëhen pazare vetëm që të arrihet te liberalizimi.
Ai ka përmendur disa kritere të udhërrëfyesit, që sipas tij nuk janë plotësuar, është deklarimi i pasurisë, lufta kundër korrupsionit, transmeton Indeksonline.
“Blloku i tretë i kritereve të udhërrëfyesit, që është lufta kundër korrupsionit, pa luftim të korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimi i parave, krijimi i mjeteve për konfiskimin e pasurisë të paligjshme, nuk janë plotësuar. Dhe, qeveria duhet të mundësojë të realizohen hetime pro aktive të pasurisë së pazakonshme ose dyshuese”, ka thënë Konjufca.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës është shumë larg realizimit të këtyre kritereve.
Sa i përket ligjeve të paraqitura për votim sot në Kuvend, ai ka përfunduar se ligjet janë të rëndësishme, por nuk i zgjidhin problemet që i ka Kosova./Indeksonline/