Konjufca për krizën në Veri: S’kryhet kurrë nëse ndërkombëtarët na fajësojnë vetëm neve

E publikuar: 04/07/2023 17:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Glauk Konjufca

Glauk Konjufca

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, në një intervistë për Frontal të T7 i pyetur nëse krizës në Veri po i shihet fundi, ka thënë se nëse bashkësia ndërkombëtare e fajëson vetëm Kosovën atëherë tensionet atje s’marrin fund kurrë. Sipas tij, Veriu është i ndarë nga viti 1999 dhe zgjidhja e vetme është bashkimi i vendit.

Gjithashtu, ai tha se Kosova duhet ta bindë bashkësinë ndërkombëtare për karakterin unitar të Kosovës dhe këtë e cilësoi si betejën më të madhe të Kosovës që nga vitit 1999.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare mendon që vetëm Kosova i ka fajet dhe përgjegjësinë për këtë situatë, kjo s’kryhet kurrë. Kjo ka me mbetur kështu përgjithmonë. Por, unë mendoj që duhet ta bindim bashkësinë ndërkombëtare dhe do ta fitojmë këtë betejë patjetër. I kemi fituar edhe shumë tjera të rëndësishme në të kaluarën. Por, unë mendoj që pas çlirimit të Kosovës më 1999, kjo është beteja më e rëndësishme për karakterin e shtetit tonë sepse shteti i Kosovës duhet të jetë shtet unitar. Republikë e bashkuar. Kjo betejë është për Republikën e bashkuar. Ose këtë tjetrin opsion s’mund ta imagjinojë sepse është shumë i keq. Është shtet i ndarë. Për shumë kohë ka qenë i ndarë. Kosova prej 99-ës kështu dyqysh ka funksionuar. Edhe ajo ka qenë iluzore në vitin 2008 dhe 2011, sepse u pa që këta kur do ta zbatosh ligjin dhe kushtetutshmërinë atëherë e sheh fytyrën e vërtetë të Listës Serbe. Ata i kanë pasë kryetarët e komunave atje, por kjo s’do të thotë që kanë punuar për shtetin e Kosovës. Në momentin kur u qartësua situata e treguan fytyrën e vërtetë. Shkuan te Vuçiqi atje gatitu dhe i përgatitën grupet e tyre për të gjuajtur shok-bomba. D.m.th, në fund të fundit, ata i përgjigjen Beogradit. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër”, tha Konjufca në një intervistë për T7.

Konjufca, duke thënë se masat e BE-së vetëm ndaj Kosovës janë të padrejta, tha se raportet me BE e SHBA-në “janë aty”.

“Kemi bashkëpunim, takime edhe me amerikanët edhe europianët. Por, janë disa masa që nuk janë të pëlqyeshme”.