Në nderim të 33-vjetorit të rënies së dy dëshmorëve Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia zyrtarë institucionesh, bashkëluftëtarë e familjarë kanë bërë homazhe te varrezat e tyre në lagjen “Velania” në Prishtinë.
Me këtë rast homazhe ka bërë edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se Fazliu e Zhitia ishin shembull se si jepet jeta për lirinë e vendit.
Ai më tej shtoi se ata ishin frymëzim që mijëra djem dhe vajza t’i bashkohen UÇK-së.
“Erdhëm për t’i bërë nderimet për heronjtë tanë që e dhanë shembullin më të vyer se si jepet jeta për lirinë e atdheut, sepse ata i luftuan forcat e okupatorit”.
“Ishin shembull që frymëzoi edhe brezat më pas. E mijëra djem e vajza iu bashkuan në UÇK duke e përjetuar shembullin e tyre se si me pushkë në dorë duhet t’i dilet përpara okupatorit. Sa të ketë gjallë popull shqiptar ata do të kujtohen e do të nderohen”, deklaroi ai, shkruan EO.
Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia ranë më 2 nëntor të vitit 1989, në Bregun e Diellit në Prishtinë, pas një përballje me forcat e armikut.