Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se Kosova nuk mund të kushtëzohet nga Serbia për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës.
Ai ka theksuar se për këtë çështje ka pasur një kompromis dhe se zgjedhjet me rekomandim të ndërkombëtarëve njëherë janë shtyrë.
Konjufca ka thënë se kanë marrë garanci nga ndërkombëtarët se zgjedhjet nuk do të shtyhen më shumë se njëherë dhe se kjo çështje ka përfunduar.
“Unë mendoj që ka qenë shumë pozitiv qëndrimi i QUINT-it dhe i bashkësisë ndërkombëtare që pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet të cilat paralajmëruar me 23 prill nuk ka formim të Asociacionit”.
“Mendoj që Kosova nuk ka fare nevojë fare që të lëvizë, para se të ketë zhvillime në këtë drejtim. Nuk mund që ne të kushtëzohemi prej Vuçiqit, prej Beogradit, prej Serbisë, që ata të vendosin se kur të ketë zgjedhje ose jo në Kosovë”, ka theksuar Konjufca, duke shtuar se Kosova nuk ka kurrfarë obligimi për Asociacionin.