Konjufca: Nuk ishte ndërmarrje kriminale, verdikti final të jetë në përputhje me lavdinë e saj

E publikuar: 18/02/2026 10:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca pak para se të hyjë në galerinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës për të parë nga afër seancën gjyqësore në Hagë kundër katërshes së UÇK-së është shprehur i bindur se verdikti final i këtij procesi të zgjatur do të jetë lirimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kthimi i tyre tek familjet.

Ministri i Punëve të Jashtme, Konjufca para gazetarëve deklaroi se nuk kishte ndërmarrje kriminale në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Pak para nisjes së seancës gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ku do të marrë pjesë edhe vetë Konjufca tha se ushtria ishte e drejtë dhe e krijuar për të mbrojtur popullin e saj nga gjenocidi serb.

“Ne secili bëjmë atë që kemi obligim dhe i gjithë shteti mendoj se ka qenë në funksion të kësaj të vërtet që unë po e them për luftën e UÇK, nuk kishte ndërmarrje kriminale në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kjo është e vërteta dhe kjo e vërtetë ka me dal në gjykatë. Nuk ka në zemër të UÇK ndërmarrje kriminale UÇK ka qenë ushtri e drejtë e krijuar drejtpërdrejtë prej popullit të Kosovës prej kërkujt prej lartit nuk është krijuar UÇK ajo ka marr hovë sidomos pas epopesë legjendare të Jasharajve dhe rënies së komandantit legjendar,Adem Jashari..është masivizuar UÇK ka shkuar aty me mijëra ushtarë burra e gra më të mirë që i ka kombi jonë për ta mbrojtur popullin tonë prej gjenocidit kjo është e vërteta dhe kjo e vërtetë ka me u konfirmua në këtë gjykatë… Ne çdo ditë e bëjmë këtë që po e them këto veprime janë të përditshme çdo takim ndërkombëtar që e kam pas këtë ua kam thënë dhe ngritur kjo temë dhe kjo do të kurorëzohet me lirimin e drejtuesve të UÇK-së dhe kthimin e tyre në Kosovë dhe pranë familjeve të tyre“, tha ai.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Gluak Konjufca tha se i gjithë shteti ka qenë në funksion të asaj të vërtetë se në zemër të UÇK-së nuk kishte ndërmarrje kriminale. Ai shtoi se UÇK ka qenë ushtri e drejtë e krijuar nga populli.

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Gluak Konjufca nga Haga e para objektit të Gjykatës Speciale deklaroi se gjithmonë kanë adresuar kritika për Specialen duke e konsideruar një etnike dhe që padrejtësisht e kishte fokus Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha se në Hagë është për të konfirmuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dh e pastër.

Sipas tij kjo gjykatë po synon të shtrembëroj historinë e Kosovës.

“Ne e patëm kritikën tonë gjithmonë për këtë gjykatë se ishte gjykatë një etnike dhe fokusin e kishte pa drejtësisht në UÇK-në e unë jam këtu për të konfirmuar edhe njëherë se lufta jonë, lufta e popullit të Kosovës ishte luftë e drejtë, ka qenë luftë e pastër ka qenë luftë mbrojtëse nuk ka qenë qëllimi i kësaj lufte sulmi i asnjë populli tjetër targeti i vetëm i uniformave të UÇK-së ishte policia dhe ushtria serbe, njerëzit e uniformua okupatorë që bënë gjenocidin në Kosovë që vranë fëmijë e gra e pleqët e që i mbytën mbi 12 mijë qytetarë të Republikës sonë…Këtë të vërtetë nuk ka asnjë institucion, këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshoj asnjë gjykatë e çka po përpiqet të ndodh brenda kësaj gjykate është shtrembërimi i historisë sepse edhe baza që u ndërtua kjo gjykatë e që është raporti i Dick Martyt doli një raport i gënjeshtrës me plot të pavërteta për trafikim të organeve nga UÇK dhe mbi këtë bazë u ndërua kjo gjykatë“, tha ai.

Sipas kryediplomatit Konjufca procesi i zgjatur ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë ka qenë shkelje brutale e të drejtës për gjykim të arsyeshëm në kohë.

“Është dita e fundit e këtij procesi i cili zgjati kaq shumë, i procesit të gjykimit të katër drejtuesve të UÇK-së njëri prej tyre Thaçi ishte presidenten i Kosovës, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli ishin kryetar të Kuvendit të Republikës sonë, kurse Rexhep Selimi gjeneral i UÇK-së dhe udhëhoqi grupin parlamentar në Kuvendin e Kosovës. Tashmë ata e kanë marr një ndëshkim të padrejtë sepse procesi zgjati aq shumë sa që unë pretendoj dhe të gjithë pretendojmë së bashku se u shkel e drejta elementare e njeriut që mbrohet edhe me Konventën e Kombeve të Bashkuara edhe me Konventën Evropiane të të drejtave të njeriut dhe Kushtetutën tonë dhe kjo është e drejta që personi të gjykohet në kohë të arsyeshme. Kjo e drejtë ma merr mendja që u shkel në mënyrë të dhunshme sepse janë bërë 5 vite e tre muaj që këta drejtues të UÇK-së mbahen të izoluar dhe larg familjeve të tyre dhe larg shtetit të tyre. Ka qenë shkelje brutale e të drejtës për me pas gjykim të arsyeshëm në kohë“, tha ai.

Kryediplomati kosovar i pyetur nëse edhe Kosova do të ketë mundësi të gjykojë Jack Smith për ndikim në dëshmitarë , ai tha se kjo është e arsyeshme dhe gjithmonë do të vazhdohet të kërkohet kjo gjë. Megjithatë, Konjufca shpreson që verdikti final i këtij gjykimi do të jetë në përputhje me historinë dhe lavdinë e UÇK-së.

“Vetë personi që po flisni dhe që ka qëndruar prapa këtyre aktakuzave vetë ka problem me drejtësinë në SHBA-t… Jack Smith e heton shteti i tij shtetit të cilit i takon ai kjo për ne është e mjaftueshme dhe tregon për jo seriozitetin e personit i cili aq shumë insistonte në këto aktakuza të cilat janë të gënjeshtërtat, të paqëndrueshme e të cilat po tregojnë për vetë problemet…Ne gjithmonë i kryejmë obligimet tona mendoj se edhe kjo që e thoni mund të jetë e arsyeshme ne natyrisht kemi edhe ata relacione me EULEX dhe gjithmonë do të vazhdohet të kërkohet kjo, por unë mendoj që tash jemi në ditën e fundit gjykata do të vendos pas kësaj ne shpresojmë shumë që verdikti do të jetë në përputhje me historinë dhe me lavdinë UÇK-së”, shprehet Konjufca.

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë trupit gjykues pritet t’u drejtohen me fjalët përmbyllëse edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, secili në 20 minuta koha.

Paraprakisht do të dëgjohen edhe mbrojtja e secilit prej katërshes së UÇK-së.

Ndërsa, më 9 shkurt të këtij në Dhomat e Specializuara ka nisur paraqitja e fjalës përmbyllëse në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.

Kjo shënon fazën përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ata kanë deklaruar para trupit gjykues se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së për krime lufte.

Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh, për secilin nga ish-krerët e UÇK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.