Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, me një delegacion ka marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP PA) të mbajtur në Shkup.
Ai ka thënë se takimet e tilla janë rikonfirmim i angazhimit të përbashkët për të nxitur bashkëpunimin rajonal, për të promovuar zhvillimin ekonomik, për të rritur sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në Evropën Juglindore.
Konjufca bëri të ditur se para të pranishmëve vuri në dukje nevojën për të mbështetur aspiratën e Kosovës për anëtarësim në struktura ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Këshillin e Evropës, në frymën e përkushtimit për një rajon sa më të bashkuar rreth vlerave dhe qëllimeve të përbashkëta.
“Një gjë e tillë u arrit më herët me liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit tonë, gjë për të cilën jemi mirënjohës dhe kjo duhet të përsëritet, në frymën e të ardhmes së përbashkët”.
“Në fjalën time, nënvizova edhe se ngjarja e 24 shtatorit 2023, kur kundër Republikës së Kosovës u krye një sulm i egër terrorist, me pasojë vrasjen e Rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy policëve të tjerë, ishte goditje e rëndë jo vetëm për bashkëpunimin, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Prandaj, ai akt duhet dënuar nga të gjithë pa përjashtim, ndërsa përgjegjësit të cilët strehohen dhe mbrohen nga Serbia duhet të vihen përballë drejtësisë. Pa këto qëndrime dhe veprime, do të jetë e vështirë të arrihen synimet e SEECP”, ka shkruar Konjufca në rrjetin social Facebook.