Konjufca: Gratë kanë dhënë kontribut e shembull të jashtëzakonshëm

E publikuar: 15/03/2024 12:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seanca shënjuese me ish-deputetet e legjislaturave të mëparshme. Aty, u vlerësua lartë roli dhe kontributi i ish-deputeteve ndër vite, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka theksuar se gratë kanë dhënë kontribut e shembull të jashtëzakonshëm.

“Në këto ditë si sot nuk mund të mos i kujtojmë gratë intelektuale. Në historinë e re të Kosovës, numri i grave të angazhuara politikisht është rritur vazhdimisht, dhe roli i tyre është i pazëvendësueshëm”, ka deklaruar Konufca.

Në seancë ishin ish-deputete si Kaqusha Jashari, Flora Brovina, Besa Gaxherri e shumë të tjera.

Ish-deputetja, Flora Brovina ka thënë se rruga deri tek këto ulëse nuk ka qenë e lehtë.

“Askush nuk na i dhuroi këto ulëse sepse jemi gra, por ishte dëshira të marrim pjesë në çdo lëvizje” , ka theksuar ajo

Ish deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, u shfaq në foltore me një bluzë mbi të cilën ishte fotografia e të ndjerës Liridona Ademaj e cila u vra muaj më parë.

“Në memorien time dua të kthej tri momente të grupit të grave deputeteve kur jemi bërë bashkë e ka pas momente kur unë përkundër grupin tim parlamentar kam votuar diçka tjetër se ka qenë në interes të gruas. Për herë të parë është ndarë buxhet me propozimin e grave, e unë dua të falënderoj ato qe kanë filluar e krijuar këtë grup duke iu dalluar historia që keni dhënë”, tha ajo.

Ajo përmendi vrasjen e Liridona Ademajt duke thënë se edhe sot e kësaj dite ndihet ë trishtuar nga ajo ngjarje që pasqyron realitetit ne vend.

“Jo rastësisht vendosa ta përmend këtë rast në këtë takim, kur këto ngjarje janë shndërruar ne dukuri. Nuk duhet të lejojmë që kjo dukuri të lëshoj rrënjë, nuk mund të mendohet një shoqëri demokratike kur ka ngjarje të tilla andaj të nderuara deputete kudo që jeni të rrisim përgjegjësinë që kemi”, tha Haxhiu.