Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka shprehur kritika ndaj emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili javën e kaluar e vizitoi Kosovën dhe nga këtu shprehu zhgënjimin me padëgjueshmërinë e Qeverisë, duke përmendur edhe pasojat.
Konjufca tha mbrëmë se diplomati amerikan po e shtyn konceptin e emisarit të Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili, siç thotë kryeparlamentari, është në anën e Serbisë.
“Z. Escobar e shtyn konceptin e z. Lajçak. Unë nuk mendoj që z. Escobar ka një agjendë të veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në raport me vizitat e tij në Kosovë dhe me çka ai do të shtyjë përpara, ai do të shtyjë përpara atë që është ky koncepti amerikan që BE-ja është në udhëheqje të dialogut, kurse z. Escobar e shtyn përpara atë që e specifikon z. Lajçak”, tha Konjufca në një intervistë në Kanal 10.
“Unë kam problem me këtë kornizë të z. Lajçak. Lajçaku është shumë i njëanshëm. Z. Escobar goxha shumë e mbështet këtë drejtim që e ka specifikuar z. Lajçak”, tha ai.