Konjufca e quan skandaloze deklaratën e Hazirit për shkëmbimin e territoreve

E publikuar: 31/08/2020 21:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca ka deklaruar se delegacioni shtetëror i Kosovës po shkon në bisedime me palën serbe në Uashington, pa qenë në dijeni të agjendës së takimit.

Ai në DebatPlus të TV Dukagjinit u shpreh se Qeveria e Kosovës nuk ka legjitimitet për bisedime me Serbinë, pasi ajo nuk mbështetet nga Lëvizja Vetëvendosje, ka mungesë të platformës për bisedime, e cila do të duhej të merrte bekimin e Kuvendit si institucion mbikëqyrës i bisedimeve.

“Kur vetë qeveria nuk e ka të qartë se cilat tema do të ngrihen në këtë fazë të dialogut, aq ma pak mund ta dinë qytetarët e Kosovës”, u shpreh ai.

Duke folur rreth asaj se do të ketë marrëveshje të gatshme në Uashington, Konjufca tha se opsioni i shkëmbimit të territoreve është zbehur, pasi që Kushtetuesja e quajti ilegjitime asociacionin e komunave serbe, pasi bie në kundërshtim me 23 nene të aktit më të lartë juridik në vend.

“Serbia po ecën në mes të dy opsioneve: a do të ketë Asociacion, apo veriu i Kosovës”, tha Konjufca.

Ai ka komentuar edhe deklarimet e nënkryetarit të LDK-së Lutfi Haziri rreth dhënies së Leposaviqit me 17 fshatra Serbisë, si pjesë e këmbimit të territoreve, duke thënë se një deklaratë e tillë është një skandal i madh, pasi Kosova duhet të ruajë territoret e saja aktuale.

Ndryshe, Lutfi Haziri, ka deklaruar përsëri se Serbia nuk do të njohë Kosovën shtet të pavarur pa përfituar ndonjë kompromis. Ai ka thënë se nuk dëshiron t’i shohë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës të mbeten nën Serbi.

I pyetur se çfarë do të jepte Kosova në këmbim të kësaj, Haziri është përgjigjur shkurt: “Leposaviqin me 17 fshatra serbe. Ashtu siç ishin para shkëmbimit të disa viteve”.

Haziri ka thënë se asnjë katund shqiptar i Kosovës nuk do të kalonte nën Serbi.