Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim lamtumirës ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny.
Kryetari Konjufca e falënderoi ambasadoren Hernmarck për bashkëpunimin e frytshëm dhe për punën e saj të deritanishme.
Duke nënvizuar faktin se Suedia është ndër katër donatorët më të mëdhenj në Kosovë, Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohje të lartë për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë përmes projekteve gjithëpërfshirëse për fuqizimin demokracisë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, çështjet ambientale dhe fusha të tjera zhvillimore, si dhe për përkrahjen e synimeve të shtetit të Kosovës për integrim euroatlantik dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, thuhet në një komunikatë për media.
Me këtë rast, kryetari Konjufca i uroi suksese në angazhimin e mëtejmë Hernmarck, teksa ambasadorja suedeze vlerësoi progresin e arritur dhe ritheksoi mbështetjen e Suedisë për Republikën e Kosovës.