Kongresistët amerikanë i shkruajnë Blinkenit për çështjen e Luginës së Preshevës

E publikuar: 18/03/2023 00:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pak orë para fillimit të takimit të Ohrit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, ka pranuar një mesazh nga Kongresi Amerikan për çështjen e Luginës së Preshevës.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka treguar se kongresistët Himes dhe Torres, i kanë dërguar letër zyrtare Blinkenit, përmes së cilës kërkojnë që të drejtat e shqiptarëve në jugun e Serbisë, respektivisht në Luginën e Preshevës, të trajtohen në mënyrë reciproke me ato të minoritetit serb në Kosovë.

“Bashkëkryesuesit e Grupit për Çështje Shqiptare në Kongresin e SHBA-ve, Kongresistët Himes dhe Torres, i dërgojnë letër zyrtare Sekretarit Blinken përmes së cilës kërkojnë që të drejtat e shqiptarëve në jugun e Serbisë, respektivisht në Luginën e Preshevës, të trajtohen në mënyrë reciproke me ato të minoritetit serb në Kosovë”, ka shkruar Kamberi.

“Dialogu është dizajnuar për ta sjellur një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative për normalizimin e marrëdhënjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë njohjen reciproke,” shkruajnë Himes e Torres, duke shtuar se “duke pasur parasysh historinë e konfliktit në rajon, dështimi për të siguruar të drejta të barabarta dhe të qëndrueshme [për shqiptarët në Luginë], mund t’i vëj në pikëpyetje të gjitha aspektet e marrëveshjes”.

Kongresistët i shkruajnë Blinken se “plani i tanishëm 11-pikësh [Propozimi Evropian] nuk përmend askund të drejtat e minoritetit [shqiptar]…dhe ne insistojmë që kjo çështje të përfshihet në marrëveshjen finale”.

Përderisa po insistohet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, “ne kërkojmë dhe avokojmë tek ju për trajtim reciprok të minoritetit shqiptar në jug të Serbisë, apo për një asociacion të ngjashëm për ta”, theksohet në letrën kongresionale.

Kongresistët e përfundojnë letrën duke thënë se “ne qëndrojmë fuqishëm në përkrahje të dialogut dhe ju inkurajojmë që t’i trajtoni në mënyrë të barabartë të drejtat e minoriteteve në të dyja vendet.”

“Jashtëzakonisht mirënjohës miqve tanë në Kongres për përkrahjen e parezervë ndaj kërkesave të drejta dhe legjitime të shqiptarëve etnik në Luginë të Preshevës”, shkroi Kamberi.