Kongresi Mobil Botëror – BMW prezanton makinën autonome

E publikuar: 28/02/2018 12:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prodhuesi gjerman BMW ka shfaqur në Kongresin Mobil Botëror një sistem të makinës autonome të cilën do të kemi mundësi ta provojmë vetëm pas disa vitesh.

Pas pushtimit të eventit CES në Las Vegas me makina autonome, nuk mund të mos mungonte një përgjigje nga ana tjetër e kontinentit, përkatësisht në Kongresin Mobil Botëror, ku BMW prezantoi një version të veçantë të BMW i3 elektrike të pajisur me komponentë të nevojshëm për të ngarë makinën në mënyrë autonome në nivelin 5 i cili është edhe niveli më i evoluar.

Disa nga detajet janë: lidhja e makinës me smartphone që mundëson kontrollin e pozicionit të makinës dhe zgjedhjen nëse do të shkojë shoferi tek makina apo makina tek shoferi duke përdorur GPS, hapja e makinës me anë të shenjave të gishtave, nisja e makinës duke u ulur në ndenjësen e pasme dhe duke e ndezur vetëm me një klikim butoni në ekranin me prekje dhe ndërkohë mund të shihet ndonjë film apo të dëgjohet muzikë, pra detaje të cilat e shpërqendrojnë komplet vëmendjen e shoferit, pasi është vetë  makina e cila udhëheq.

Megjithatë, bëhet fjalë për makina që do të mund të vihen në lëvizje vetëm pas vitit 2021, pasi vetë prodhuesit shprehen se ka vështirësi të shumta edhe pse në korrik të këtij viti, pritet që BMW të prezantojë çelësin digjital, një sistem që lejon hapjen dhe mbylljen e makinës me anë të telefonit. /PCWorld Albanian