Kongresi amerikan do të mblidhet të hënën për të certifikuar fitoren e zotit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, përballë zëvendëspresidentes aktuale, Kamala Harris.
Nënpresidentja është përgjegjëse për kryesimin e numërimit të rezultateve nga secili prej 50 shteteve të vendit, duke e vënë Harris në pozicionin e certifikimit të humbjes së saj.
Procedura ishte për një kohë të gjatë një formalitet në procesin zgjedhor, por katër vjet më parë u shndërrua në kaos pasi mbështetësit e Trump hynë në Kapitol, duke plagosur rreth 140 oficerë policie, duke shkaktuar dëme në ndërtesë dhe duke detyruar ligjvënësit të strehoheshin për shkaqe sigurie.
Skena të ngjashme nuk priten të hënën, meqë Harris e ka pranuar humbjen dhe presidenti Joe Biden ka theksuar nevojën për një proces paqësor të kalimit të pushtetit.
Autoritetet janë përgatitur për çdo rast, duke ngritur pengesa të larta metalike rreth kompleksit të Kapitolit.
Duke folur të dielën në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Biden e quajti atë që ndodhi më 6 janar të vitit 2021 “një nga ditët më të vështira në historinë amerikane”.
“Ne duhet të kthehemi në kalimin normal të pushtetit”, tha ai.
Ai shtoi se sjellja e Trump katër vjet më parë, e cila përfshinte pretendime të përsëritura të rreme se ai fitoi zgjedhjet, “ishte një kërcënim i vërtetë për demokracinë”.
Më shumë se 1500 persona janë akuzuar në lidhje me sulmin në Kapitol. Trump është zotuar se do të shpallë faljen e tyre pasi të marrë detyrën më 20 janar.