Dyshimet për zhdukjen e miliona eurove të buxhetit të Ministrisë së Mjedisit kanë quar në shtëpi, drejtorin e ujrave në këtë ministri, Naser Bajrakratin.
Ky është vetëm zyrtari i parë i kësaj ministrie në listën e gjatë të atyre që pritet të suspendohen e madje disa të shkojnë në burg për mos zbatim të ligjit dhe mos inkasim të taksës për shfrytëzim të ujrave.
Suspendimi i tij është konfirmuar edhe zyrtarisht. Këtë e ka pranuar vet drejtori Bajraktari i cili thotë të mos i di arsyet e suspendimit, që sipas tij ka ndodhur në kohën kur ai ishte në pushim mjekësorë.
“Kam dëgjuar që më kanë suspenduar, por, ende nuk e kam marr vendimin sepse jam në pushim mjekësorë”, ka thënë Bajraktaari për Gazetën Fjala.
Burime të gazetës bëjnë të ditur se suspendimi i tij ka ardhur si rezultat i hetimeve të bëra muaj më parë, pas raportimeve për mungesën e 100 milionë eurove në buxhetin e Ministrisë.
Gazeta Fjala ka raportuar me fakte të dokumentuara se në Ministrinë e Mjedisit mungojnë rreth 100 milionë euro, nga taksat e pa mbledhura nga shfrytëzuesit e ujërave, gurthyesit, shfrytëzuesit legalë dhe ilegalë të rërës nga lumenjtë e prodhuesit e ujit, pijeve e të gjithë shkarkuesit e mbetjeve inerte që nuk kanë paguar taksë në bazë të udhëzimit administrativ 06/2006.
Borxhlinjtë më të mëdhenj dalin të jenë Korporata Energjetike e Kosovës, KUR Prishtina, Ibër Lepenci e shumë shfrytëzues publikë.
E nga sektori privat, borxhliu më i madh është ndërmarrja sh.p.k. Arbëria që prodhon Ujin e Alpeve e cila ka borxh mbi 9 milionë euro. Vendin e dytë e zë ndërmarrja Fluidi me afro 4.5 milionë euro. Nuk qëndrojnë keq me borxhe ndaj shtetit që nuk po ua kërkon askush as Compact Group që prodhon ujin DEA apo uji Miros që kanë mbi 3 milionë euro borxhe secila.
Marrjen e masave ndaj atyre që kanë lejuar të ndodhë një gjë e tillë, e paati paralajmëruar kreu I Ministrisë së Mjedisit, Ferid Agani.
“Përkitazi me këtë çështje të ngritur në mënyrë publike para marrjes së mandatit tim në MMPH kam kërkuar shpejtë pas marrjes së detyrës raporte zyrtare nga Sekretari i përgjithshëm dhe Auditori i brendshëm i ministrisë, të cilat pres të më dorëzohen brenda këtij muaji”, ka thënë Agani për Gazetën Fjala.
Sipas tij, bëhet fjalë për akt nën-ligjor që është në fuqi prej vitit 2006 zbatimi i të cilit ka qenë nën përgjegjësinë e së paku dy mandatave paraprake qeveritare dhe ministrore.
“Kjo imponon nevojën e shqyrtimit të kujdesshëm të gjitha aspekteve relevante që kanë të bëjnë me këtë çështje përfshirë edhe raportet zyrtare të auditimit të jashtëm të Ministrisë nga ana e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës”, ka thënë Agani.
Kreu i MMPH-së pati thënë se në këtë drejtim do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore që do të paraqiten të nevojshme në funksion të sigurimit të transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies së plotë përkitazi me këtë çështje. /GazetaFjala/