Konfirmohet: LVV propozon Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, Kusari-Lila pjesë e qeverisë

E publikuar: 11/02/2026 17:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e zgjedhur nga koalicioni “Lëvizja Vetëvendosje”, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se sot pret konstituim të Kuvendit dhe formim të qeverisë.

Ajo, para nisjes së seancës konstituive, konfirmoi raportimin e KosovaPress se Albulena Haxhiu do të propozohet për kryetare të Kuvendit.

Ndërkaq, tha se vetë do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar të ardhshëm si ministre e Tregtisë.

“Ka gjasa që sot të jenë dy seanca. Njëra që fillon në orën 17:00 që ka të bëjë me organet e Kuvendit dhe tjetra, varësisht sa do të zgjasë kjo e para, që nuk besoj shumë. Është për t’u përshëndetur qasja bashkëpunuese e të gjitha grupeve në Kuvend në ditën e djeshme, ku ka pasur dakordim prej kërkesës për ndërrim të orarit dhe procesin e votimit. Jam optimiste se nuk do të ketë vonesa ose befasi dhe çështje të paplanifikuara”, tha ajo.

E pyetur pse ndryshoi qëndrimin Lëvizja Vetëvendosje për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, rrjedhimisht edhe votimin e propozimit nga Lista Serbe, ajo tha se qëndrimi politik karshi këtij subjekti politik nuk ka ndryshuar.

Mirëpo, është e rëndësishme mbarëvajtja e jetës institucionale.

“Qëndrimi ynë politik mbetet i pandryshuar. Asgjë në raport me qasjen dhe mosbesimin që e kemi me çfarëdo komunikimi apo bashkëpunimi me këtë grup politik që deri tani ka shfaqur vetëm kundërshti me interesin e Kosovës. Interesi i Kosovës është mbi të gjitha dhe ajo që duhet të ndodhë sot është të ruhet mbarëvajtja e jetës institucionale dhe interesat e mijëra punëtorëve që janë në shërbim të vendit në sektorin publik dhe privat”, tha ajo.

Derisa bëri të ditur pozicionin e saj në kabinetin e ardhshëm qeveritar si dhe të propozuarën e LVV-së për kryetare të Kuvendit.

“Besoj se edhe e propozuara dhe kryetarja e Kuvendit… Deri në këto momente nuk do të ndryshohet”, tha ajo.

Në orën 17:00 pritet të nis seanca konstituive.