Sot shënohet 18 Tetori – Dita Evropiane Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.
Për të shënuar këtë ditë, Zyra e Koordinatorit Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore e Ministrisë së Punëve të Brendshme, do të organizojë konferencë për Ditën e BE-së Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.
Në këtë konferencë që do ta udhëheqë, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, do të marrin pjesë: Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Dellawie, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të këshillit gjyqësor, prokurorial dhe të Policisë së Kosovës.
Dukuria e trafikimit ka filluar të shfaqet viteve të fundit edhe në Kosovë, ku kryesisht vajza që detyrohen të merren me këto aktivitete të jashtëligjshme janë nga Kosova, Shqipëria, Serbia dhe shtetet e Evropës Lindore.