Janë bërë 16 vjet që kur përfaqësuesit politikë dhe ushtarakë të Kosovës kishin marrë rrugën për në Kështjellën e Rambujesë, në Paris të Francës për të nënshkruar atë, që më pas u quajt “Marrëveshja e Rambujesë”. Ndonëse nuk u nënshkrua nga pala serbe, marrëveshja mori firmën nga pala kosovare dhe gjashtë shtetet më të fuqishme të botës, që në atë kohë njihej si Grupi i Kontaktit.
Njëri ndër ata që ishte pjesë e delegacionit kosovar në Rambuje, ishte edhe Ramë Buja, në atë kohë epror në UÇK , rrëfen për KosovaPress përjetimet e tij nga kjo konferencë.
Buja tregon se derisa delegacioni kosovar ndodhej në Kështjellën e Rambujesë për të arritur një marrëveshje paqeje me palën serbe, në Kosovë po kryhej masakra e Reçakut.
Sipas tij ndonëse konferenca e Rambujesë është kritikuar shumë, është mohuar, ngritur, ka qenë pikërisht kjo marrëveshje që ka qenë në fakt fillimi i një procesi drejtë pavarësimit të shtetit të Kosovës.
Buja thekson se në Rambuje delegacioni që përfaqësonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës por edhe pjesa tjetër e ekipit, ishin të vetëdijshëm që nuk po shkonin në Francë për të biseduar për pavarësinë e Kosovës, por për të bërë të njohur përpjekjet e popullit shqiptar për liri.
“Ishim të vetëdijshëm se po shkojmë për ta bërë të njohur luftën, përpjekjen angazhimin e UÇK dhe tërë popullit për liri të Kosovës. Kështu që kjo konferencë arriti efektin e vet pavarësisht që kishte edhe rreziqe të mëdha, sepse siç e dini besoj, dy ditë para se të përfundonte konferenca ne na vjen drafti i parë, që na u soll nga organizatorët e konferencës pa u përpunuar fare, pa u ndryshuar fare pa u futur fare ajo puna e jonë që kishim bërë 17 ditë sa ishim atje dhe ne thjeshtë u shqetësuam shumë. Aty edhe filloi një farë çarje e delegacionit paksa, sepse disa që ishim tepër pak, kishin disponimin për ta nënshkruar, ndërsa ne të UÇK –së ua tham qartë, shkurt që kjo nënshkruhet atëherë kur UÇK nuk do të zhduket, nuk do të hiqet nga skena por do të transformohet logjikshëm dhe përmbajtësish. Dhe, natyrisht pas tri vitesh referendum i domosdoshëm për ta arritur qëllimin e pavarësisë së Kosovës dhe këtë garancion na dha sekretarja e shtetit Madeleine Albright atëherë, dhe po kështu u tha që UÇK do të transformohej, nuk do të hiqej nga skena dhe kjo ndodhi dhe ne si delegacion me shumë jo të mira në ato dy-tre ditë, vendosëm që të shtyjmë nënshkrimin e mundshëm të asaj marrëveshje pas dy javësh, gjë që ndodhi kështu”, ka thënë Buja.
Ai pas tërë këtyre viteve e kujton këtë konferencë si një ngjarje për të cilën është punuar me shumë përkushtim dhe angazhim nga ana e palës kosovare. Për Bujën takimi me delegacionin serb në sallat e ngrënies , dhe me kreun e qeverisë së Jugosllavisë së atëhershme, Nikolla Shainovic, ishte njëra ndër përjetimet më të rënda që ai kishte pasur gjatë qëndrimit të tij me delegacionin kosovar në Kështjellën e Rambujesë.
“Ajo që mua më ka bërë përshtypje që më janë dridhur si të thuash gjithë muskujt e trupit është halli që kur ne u dashke që në sallën ku hanim mëngjesin, drekën dhe darkën, atëherë kur na vinte koha sepse ishim shumë të ngarkuar , duhej që bashkë me delegacionin serb dhe bashkë me kryetarin e qeverisë së Serbisë i cili ishte përgjegjës dhe më vonë edhe Haga e dëshmoi edhe për krimet. Unë kisha shokët dhe bashkëluftëtarët në Kosovë dhe ai ishte para meje në rend për të marrë ushqimin edhe më beso ka qenë një përjetim tepër i dridhshëm sepse mendoja se ky është urdhëruesi dhe ai që thjesht i detyronte tjerët të vrasin popullin tim”, ka thënë Buja.
Për Bujën jo çdo gjë shkoi mirë pas Konferencës së Rambujesëë, dhe sikur gjërat të kishin shkuar në një drejtim tjetër, pavarësia e vendit nuk do të vinte kaq vonë.
“Kemi gabime pas konferencës, sepse atje ne u morëm vesh që ta bënim Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, dhe nuk e bëmë të plotë, po ta bënim atë, nuk do të kishim nevojë të vinte askush më të bënte, ato mekanizma që i bënë pas lufte, por do të kishim pas qeverinë tonë të plotë dhe më pastaj do të kishim vazhduar më me intensitet, dhe ndoshta kam bindjen që shpallja e pavarësisë së Kosovës në 2008 nuk do të kishte ardhur aq vonë, do të kishte ardhur më herët”, ka thënë Buja.
Një tjetër personazh i cili ka qenë pjesë e delegacionit kosovar në Rambuje ishte edhe Edita Tahiri, e cila kujton këtë periudhë si njërën ndër momentet më të rëndësishme të historisë së vendit tonë. Tahiri që tani udhëheq delegacionin kosovar në dialogun teknik me palën serbe, thekson se ajo kishte luajtur një rol të rëndësishëm në unifikimin e palës shqiptare në këto bisedime, derisa dihet që asokohe rezistenca paqësore me atë të armatosur nuk pajtoheshin në shumë pika.
“Momentet më të rëndësishme për mendimin tim janë uniteti që e krijuam në kuadër të delegacionit të Republikës së Kosovës, sepse para se të shkonim në Rambuje delegacioni nuk ka qenë unik, ka pas disa dallime në raporte të rezistencës paqësore dhe rezistencës ushtarake në Kosovë, apo Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe ato që unë dëshiroj me iu me i nda, është që personalisht kam luajtur një rol do të thosha të rëndësishëm në afrimin e këtyre dy faktorëve”, ka thënë Tahiri.
Pas vetëm katër orësh diskutimesh kujton Tahiri, se u arrit që pala shqiptare të ketë një dokument të përbashkët. Ajo duke qenë e vetmja femër që ishte pjesë e delegacionit kosovar prej 14 vetash, thekson se ndihmës të madhe në përafrimin e palëve dhe në këtë mision që ajo kishte marrë përsipër kishte dhënë edhe Bajram Kosumi. Për Tahirin përafrimi i rezistencës paqësore me atë ushtarake, ka qenë arritja kryesore.
“Do të ishte vështirë me delegacionin e përçarë të merrnim vendime aq historike për shtetin tonë dhe popullin tonë. E dyta që është e rëndësishme dhe dëshiroj ta veçoj, është se në fillim të negociatave në Rambuje kemi diskutuar planin politik të marrëveshjes së Rambujesë, pjesa ushtarake apo vendosja e NATO-s në Kosovë ka filluar më pas. Në momentin kur ne na është dhënë plani edhe ushtarak, për sigurinë e Kosovës do të thosha që ishte momenti i dytë vendimtar për neve. Sepse qëllimet tona ishte që të përfundoj lufta, por edhe Kosova të vihet në protektoratin e NATO-s, dhe më pas të një administrimi ndërkombëtar”, ka thënë Tahiri.
Sipas saj arritja e marrëveshjes ka dhënë hapësirë që pala kosovare të forcojë edhe më shumë raportet me bashkësinë ndërkombëtare, çka edhe më pastaj u tregua të jetë vendimtare për ndërhyrjen e NATO-s mbi forcat serbe, çka edhe kulmoi me çlirimin e vendit në qershor të 1999.
Ndryshe delegacioni i Kosovës, në atë kohë kryesohej nga Hashim Thaçi që ishte përfaqësues i UÇK-së, Ibrahim Rugova i LDK-së e Rexhep Qosja i LBD-së. Delegacioni përbëhej prej katërmbëdhjetë vetash duke qenë të përfaqësuar nga tri grupime: Lidhja Demokratike e Kosovës me në krye Ibrahim Rugovën, ndjekur nga kryeministri Bujar Bukoshi që jetonte në mërgim dhe tre funksionarë të tjerë të LDK-së. Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dërgoi pesë përfaqësues me në krye tridhjetëvjeçarin Hashim Thaçi dhe katër pjesëtarë të Lëvizjes së Bashkuar Demokratike.
Përfaqësuesi kryesor politik i UÇK-së, Adem Demaçi, i njohur si Nelson Mandela shqiptar, për shkak se plot 28 vjet burg i kaloi në burgjet jugosllave, bojkotoi Konferencën. Delegacionin e përbënin edhe publicistët Veton Surroi dhe Blerim Shala./KP/