Katër kryetarët e komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, Podujeva, Gjilani, Kamenica e Shtimja, kanë dalë kundër padisë së ngritur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me kontratat kolektive.
Kjo u bë e ditur në një konferencë për media, ku kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se një padi e tillë do të kishte kuptim sikur të bëhej në kohën dhe në adresën e duhur, pasi sipas tij, një padi e tillë do të duhej të ishte e drejtuar ndaj ministrave që kanë nënshkruar dhe asnjëherë s’i kanë ndjekur rrugët ligjore për zbatimin e kontratave kolektive.
“Andaj, ne mendojmë se inicimi i kësaj padie nga ASK-ja edhe një herë dëshmon se ky AS është kthyer në një vegël politike, anti-qeveritare dhe larg misionit të tij që duhet ta përmbush në shërbim të komunave”.
“Ne si kryetarë të komunave jemi të interesuar që të gjendet zgjidhje për këtë problem që prek drejtpërdrejt punëtorët e sektorit publik, por jo të keqpërdoret nga një asociacion politik që shtynë përpara agjendat ditore të caktuara politike anti-qeveritare dhe të cilat s’e kanë fokus zgjidhjen e problemit”, është shprehur Bulliqi, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai pyeti krerët e ASK-së se ku ka qenë asociacioni në kohën kur janë nënshkruar kontratat dhe cili ka qenë reagimi i asociacionit, teksa shtoi se nuk është Qeveria Kurti ajo që ka bërë nënshkrime të tilla.
“Dihet se cila qeveri i ka nënshkruar këto kontrata dhe sigurisht që në kohën e nënshkrimit, ky asociacion ka qenë i udhëhequr nga po këta njerëz dhe asnjëherë nuk e kanë ngritur zërin që ta zgjidhin këtë problem”.
“Ne mendojmë se e tëra kjo çka po bëhet në këto momente merr karakter politik më qëllim që të krijohet edhe më tepër pakënaqësi në lidhje me moszbatimin e këtyre kontratave”, është shprehur Bulliqi, njofton Klankosova.tv.