
Gati gjashtë vjet pas fillimit të procedurave për Spitalin e Prishtinës, ndërtimi i tij pritet të fillojë së shpejti. Komuna e Prishtinës tashmë ka publikuar njoftimin paraprak për këtë projekt.
Bazuar në njoftimin e publikuar në platformën e-Prokurimi, shuma fillestare e ndarë për këtë projekt është 1 milion e 262 mijë e 705 euro. Si datë kur pritet të shpallet tenderi është dhënë 20 marsi i këtij viti.
Ky spital do të ndërtohet në parcelën e ndarë në Prishtinën e re. Spitali do të ketë rreth 200 shtretër, e departamentet kryesore do të jenë Kirurgjia, Internistika, si dhe Gjinekologjia dhe pediatria.
Prezantimi i planit të detajuar për këtë projekt ishte bërë në mars të vitit 2023. Madje, ishte premtuar edhe se ndërtimi do të fillonte atë vit.
“Sot u bë prezentimi i planit të detajuar për Spitalin Gjeneral të Prishtinës, ndërtimi i të cilit pritet të fillojë këtë vit!”, kishte shkruar Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
I njëjti në maj të vitit të kaluar, kishte bërë me dije se kanë diskutuar detajet finale të këtij projekti.
Ai kishte thënë se ky spital do të bëj më të lehtë qasjen në shërbimet shëndetësore dytësore për qytetarët e Prishtinës.
“Kardiologji, pediatri, gjinekologji e shumë reparte të tjera me kushte e standarde të nivelit evropian. Shumë shpejt projekti do të tenderohet dhe do të filloj ndërtimi”, kishte shkruar Rama.
Tenderi për studimin e fizibilitetit për këtë spital ishte shpallur nga Ministria e Administratës Publike në gusht të vitit 2019. Për këtë studim, MAPL kishte ndarë 700 mijë euro.
Ish-Ministri i Shëndetësisë i asaj kohe, Uran Ismaili, kishte thënë se ndërtsa e Spitalit duhet të kryhet brenda tri viteve.
Ai kishte bërë me dije se kishin ndarë buxhet në vlerë 7 milionë euro sa për nisje të procedurave.
“Buxhetin që e kemi ndarë është 7 milionë, që na lejon vetëm nisjen e procedurave, por kostoja përfundimtare do të dalë pasi të krijimit të projektit dhe analizave. Mirëpo në pamundësi që ta dimë koston definitive ne nuk kemi mundur të shkojmë te ministri i Financave dhe t’i themi ndaj 20 milionë euro”, kishte thënë Ismaili.