Komuna e Skenderajt ka dërguar një komunikatë për media ku ka reaguar për dënimin e kryetarit Sami Lushtaku.
Në këtë njoftim për media thuhet se vendimi ka qenë politik dhe për ta dëmtuar imazhin e Lushtakut.
Kjo është komunikata e plotë e Skenderajt:
“Vendimi i sotëm i Gjykatës themelore në Mitrovicë për dënimin për krime lufte të Kryetarit Sami Lushtaku dhe ish pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së është abstrakt dhe i papritur. Institucionet komunale dhe qytetarët e Skenderajt me gjithë pakënaqësitë e shprehura që nga fillimi i procesit ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve, kanë qenë të bindur se megjithatë ky proces do të udhëhiqet në mënyrë të paanshme dhe të drejtë. Fatkeqësisht ka ndodhur e kundërta, pasi Gjykata, nuk ka arritur apo nuk ka dashur të faktojë akuzat e supozuara dhe të mveshura.
Procesi gjyqësorë dhe vendimi i sotëm ka qenë politik dhe i adresuar më qëllim të dëmtimit të imazhit, posaçërisht të z. Lushtak, si udhëheqës ushtarak në luftë dhe udhëheqës brilant në paqe. Ne i bashkohemi qëndrimit të qytetarëve të Skenderajt si atakimi i kryetarit Lushtaku që në fillim ka qenë i padrejtë, ndërsa procesi dhe dënimi nuk është i bazuar në fakte, por në deklarata verbale të dëshmitarit të mbrojtur , që kanë pasur motiv kryesor rivalitetin politik dhe inatet personale.
Ne vazhdojmë të besojmë fuqishëm se Sami Lushtaku është dënuar padrejtësisht, pa fakte konkrete dhe bazuar vetëm në deklaratën e trilluar të një dëshmitari të mbrojtur. Konsiderojmë se sot drejtësia në Kosovë ka dështuar, sepse ka dënuar ish pjestarët e UÇK-së për veprime të pavërtetuara, ndërkohë që është sot kriminelët e vërtetë të luftës nuk ndiqen, nuk dënohen dhe nuk akuzohen.
Edhe përkundër vendimit të sotëm, i sigurojmë qytetarët e Skenderajt se edhe përkundër dëshirës së dikujt që Sami Lushtaku të etiketohet si kriminelë lufte, ai është plotësisht I pafajshëm gjë të cilën do ta vërtetojë koha”./Indeksonline/