Komuna e Prishtinës mohon se vetura e saj është fotografuar ne Graçanicë

E publikuar: 02/12/2015 14:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komuna e Prishtinës ka reaguar ndaj shkrimit të publikuar mbrëmë në Indeksonline lidhur me një veturë me targa zyrtare, për të cilën u tha se ishte e Komunës së Prishtinës.

Sipas Komunës së Prishtinës, vetura nuk ju takon atyre, pasi targat nuk përkojnë me veturat që i ka në posedim Komuna.

“Jemi të detyruar që për hir të informimit të drejtë të opinionit publik të njoftojmë se targat e veturave që i ka në shërbim Komuna e Prishtinës përfundojnë me numrin 19, deri sa vetura që paraqitet në këtë shpifje, numrin e fundit në targa e ka 34”, thuhet në reagim.

Po ashtu në këtë reagim, Komuna e Prishtinës etiketon ulët Indeksonline si portal proqeveritar dhe i afërt me qarqe të caktuara të policisë.

Këto janë pohime krejtësisht të RREME të Komunës së Prishtinës dhe janë në të njëjtën linjë me Vetëvendosjen, parti kjo e cila ka një kohë që e sulmon, e shantazhon dhe shpifë ndaj Indeksonline, duke tentuar ta fus nën kontroll.

Ne mbesim të përkushtuar për informim të drejt dhe të paanshëm dhe nëse vërtetohet se vetura e parkuar mbrëmë afër restorantit “Etno Kuça” në Graçanicë nuk i takon Komunës së Prishtinës ne i kërkojmë falje së pari Komunës së Prishtinës, pastaj edhe lexuesve të portalit tanë.

Por duam ta sigurojmë Komunën e Prishtinës, aktivitetet e së cilës i përcjellim në vazhdimësi, edhe pse kjo Komunë mbetet e mbyllur për neve, se artikulli nuk ka pas qëllim të denigroj askënd, pasi që në vazhdimësi kemi publikuar dhe publikojmë lajme me keqpërdorimin e veturave zyrtare.

E sa për dijeninë e Komunës së Prishtinës, Indeksonline sot ka tentuar të flas me zëdhënësen e Komunës, Miranda Mullafaziu, por ajo vazhdon të mos përgjigjet.