Komuna e Prishtinës gjobit LDK-në me dy mijë euro pas tubimit elektoral

E publikuar: 11/01/2021 15:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës ka gjobitur me 2 mijë euro Lidhjen Demokratike të Kosovës, për shkak të mbajtjes së një tubimi në të cilin nuk u respektuan masat anti-Covid, raporton Express

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Inspeksionit në Prishtinë, Adonis Tahiri.

“Zbatimi masave për parandalimin e shpërndarjes së virusit, është i domosdoshëm. Shkeljet sanksionohen në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës – neni 25, paragrafi 1”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ai ka shtuar se nëse partitë nuk i respektojnë masat anti-Covid të cilat i kanë votuar vetë, do të vazhdojnë gjobat.

“Iu bëjmë thirrjeve subjekteve politike që të respektojnë ligjet dhe vendimet që vet i kanë votuar. Në të kundërtën, gjobat iu shkojnë në zyrat qendrore të partive, për secilin tubim në Prishtinë”, ka shkruar Tahiri.