Komuna e Malishevës sot ka filluar ndërtimin e pesë shtëpive për familjet në nevojë, si dhe ndërtimin e shtatë kulmeve për rastet e njëjta sociale.
Shtëpia e parë që ka filluar të ndërtohet, është e ajo e familjes së Mahmut Zogajt nga Llazica, ndërsa në fillimin e punimeve ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, dhe drejtori i urbanizmit Ahmet Morina, të cilët krahas fillimit të ndërtimit të shtëpive, edhe i kanë vizituar këto familje.
“Mundësitë buxhetore të komunës nuk janë të mjaftueshme për ndërtimin e të gjitha shtëpive për ata që kanë nevojë, por çdo vit, ne po mundohemi që sadopak t’i ndihmojmë këto familje, që nuk e kanë të zgjidhur problemin e strehimit. Një prej këtyre është edhe familja Zogaj, dhe në emër të Komunës së Malishevës, uroj ta gëzoni këtë shtëpi”, tha kryetari Begaj.
“Kryetari i Komunës së Malishevës, gjatë vizitave në familjet me gjendje të rëndë sociale, ka ndihmuar disa nga familjet, me mjete nga paga e tij mujore”, thuhet ndër të tjera në komunikatën drejtuar mediave.
Sipas drejtorit të Urbanizmit, Ahmet Morina, implementim e këtij projekti e mbikëqyr Drejtoria që ai drejton, dhe në këtë vit, do të ndërtohen pesë shtëpi, ndërsa shtatë të tjera do të ndihmohen me kulme, kurse i tërë projekti, buxhetit komunal i kushton rreth 75 mijë euro.
“Po ashtu, gjatë ditës së sotme, kryetari Begaj ka vizituar edhe disa nga familjet në nevojë, përkatësisht familje me kushte jo të mira socio-ekonomike, ndërsa rastet më të rënda, kryetari i ka ndihmuar me mjete monetare, nga paga e tij mujore”, njofton kumtesa nga Komuna e Malishevës.

















