Kryetari i Komunës së Kamenicës ka nxjerrë Urdhëresën Nr. 02/408, me të cilën ndalohet pirja e duhanit në hapësirat e jashtme të institucioneve publike që janë në administrim të Komunës së Kamenicës. Kjo urdhëresë është marrë në mbështetje të legjislacionit në fuqi për vetëqeverisjen lokale dhe kontrollin e duhanit, si dhe të Statutit të Komunës.
Qëllimi i kësaj urdhërese është mbrojtja e shëndetit publik, krijimi i një mjedisi pa tym duhani dhe rritja e rendit dhe higjienës publike në hapësirat e jashtme të institucioneve komunale, raporton Telegrafi.
Urdhëresa zbatohet në të gjitha hapësirat e hapura dhe oborret e institucioneve publike komunale, përfshirë: objektet e Komunës; të gjitha shkollat fillore dhe të mesme; çerdhet dhe institucionet edukativo-arsimore; qendrat e mjekësisë familjare dhe ambulancat; drejtoritë, zyrat dhe njësitë vartëse; institucionet kulturore, rinore dhe sportive.
Me këtë vendim ndalohet pirja e duhanit dhe përdorimi i cigareve elektronike, purove, nargjileve dhe çdo pajisjeje tjetër që lëshon nikotinë apo substanca të ngjashme. Ndalimi vlen për punonjësit, qytetarët, vizitorët dhe personelin e institucioneve përkatëse.
Drejtoria e Administratës së Përgjithshme obligohet që, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e urdhëresës, të përcaktojë hapësira të veçanta të jashtme të destinuara për pirjen e duhanit, të cilat duhet të jenë në distancë të sigurt nga hyrjet, daljet, dritaret dhe zonat e grumbullimit të qytetarëve, si dhe të pajisen me sinjalistikë të qartë dhe të mirëmbahen rregullisht.
Personeli përgjegjës i institucioneve publike ka për obligim vendosjen e sinjalistikës sipas ligjit, largimin e taketeve nga hapësirat e ndaluara, mbikëqyrjen e zbatimit të ndalimit dhe ndërmarrjen e veprimeve ndaj shkelësve, përfshirë njoftimin e organeve mbikëqyrëse.
Zbatimi i urdhëresës do të mbikëqyret nga Inspektorati Komunal, ndërsa për shkeljet do të aplikohen paralajmërime administrative, masa disiplinore dhe gjoba, në përputhje me Ligjin për Kontrollin e Duhanit dhe legjislacionin në fuqi.
Kjo urdhëresë hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit nga Kryetari i Komunës dhe publikohet në tabelën zyrtare të njoftimeve dhe në faqen zyrtare të Komunës së Kamenicës.
Komuna e Kamenicës u bën thirrje të gjithë qytetarëve për bashkëpunim dhe respektim të kësaj urdhërese, në interes të shëndetit publik dhe krijimit të mjediseve më të pastra dhe më të sigurta për të gjithë.


















