Komuna e Gjilanit sërish shpall fitues operatorët e njëjtë për ndërtimin e bulevardit 18 milionësh (Dokument)

E publikuar: 13/08/2025 18:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komuna e Gjilanit ka nënshkruar sërish kontratën që peshon afër 18 milionë euro për ndërtimin e bulevardit të qytetit. Fitues janë shpallur sërish operatorët e njëjtë, për të cilët ishte deponuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Kontrata e madhe 17 milionë e 988 mijë euro për ndërtimin e bulevardit të qytetit të Gjilanit i është dhënë Grupit të Operatorëve Ekonomik: B-BARDHI SH.P.K., BESA COMPANY SH.P.K. dhe Linda, të cilët do të realizojnë të gjitha fazat e projektit pa nënkontraktim të mëtejshëm, raporton Infosot.

Tenderi për këtë projekt ka kaluar më parë për shqyrtim te OSHP, pasi operatorët ekonomikë “Pro & Co Group” SH.P.K. dhe “Ileaa-Gr” SH.P.K. kanë pretenduar se kishte pasur shkelje gjatë procedurës. Paneli Shqyrtues i OSHP ka vendosur se ankesa e këtyre kompanive ishte pjesërisht e bazuar, por jo e mjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Komunës së Gjilanit. OSHP ka aprovuar vetëm pjesërisht ankesën për kthimin e tarifës së sigurimit të ankesës për kompanitë ankues.

Pas këtij vendimi, Komuna e Gjilanit, nën drejtimin e kryetarit Alban Hyseni nga Vetëvendosje, ka konfirmuar shpërblimin e kontratës tek i njëjti grup operatorësh ekonomikë. Procedura e dhënies së kontratës është kryer me një tender të hapur, ku është përzgjedhur operatori me çmimin më të ulët.

Ky tender ka zgjuar debate në Komunën e Gjilanit, meqë kryetari Hyseni është kritikuar se ka shpërblyer me tender një grup të operatorëve në mënyrë të kundërligjshme.

Pretendimet e operatorëve ekonomik që ishin ankuar në OSHP kanë qenë se kriteret e vendosura nga komuna ishin diskriminuese dhe po favorizoheshin operatorët që janë shpallur fitues.

Pasi OSHP vendosi që tenderi nuk ka shkelje, Komuna e Gjilanit e shpalli fituesin dhe nesër, më 14 gusht, do ta nënshkruaj kontratën për nisjen e punimeve në bulevard.

Kujtojmë se ky vit është zgjedhor dhe nisja e këtij projekti do të tentohet të kthehet në poena politik që të fitohen zgjedhjet lokale nga Hyseni i vetëvendosjes.

B08 Njoftim per dhenje te kontrates, K.K GJILAN (1) (1)