Komuna e Gjilanit parasheh t’i shpenzojë 85 mijë euro për 19 mijë ‘duaj të sanës së livadhit’

E publikuar: 22/08/2025 09:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në fund të muajit korrik kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, kishte nënshkruar një tender në vlerë prej 313 mijë euro për trajtimin e qenëve endacak në këtë komunë.

Edhe në muajin gusht, Komuna e Gjilanit, ka shpallur një tender për ushqyerjen e kafshëve. Kësaj herë janë parapa 85 mijë euro për 12 krerë gjedhë që të ushqehen për 36 muajt e ardhshëm me buxhetin e komunës, raporton Infosot.

Lexo edhe:

Alban Hyseni ndan 313 mijë euro për trajtimin e qenve endacak në Gjilan

Në këtë tender kërkohen 19 mijë e 700 duaj sanë të livadhit në peshë nga 10 deri 12 kilogramë, 65 mijë e 700 kilogramë ushqim i koncentruar me përmbajtje 16 për qind proteina dhe kontrolla të veterinarit në mënyrë paushalle, pa i specifikuar numrin e vizitave.

Tenderi është shpallur më 4 gusht 2025, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e ofertave është deri më 27 gusht, përmes platformës elektronike të prokurimit publik. Procedura është e hapur, çka do të thotë se mund të aplikojnë të gjithë operatorët ekonomikë që plotësojnë kriteret ligjore dhe teknike të përcaktuara nga komuna. Vlerësimi i ofertave do të bëhet mbi bazën e çmimit më të ulët, sipas njoftimit të prokurimit.

Kontrata është planifikuar të zgjasë 36 muaj, duke garantuar mbulimin e nevojave ushqimore dhe shëndetësore të njësive blegtorale të Shkollës së Mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Sabit Baftiu”./Infosot/

Komuna e Gjilanit-Njoftim per kontrat (Dokument)