“Komplot opozitar”, PDK-LDK koalicion paszgjedhor per t’u bashkuar me pas me AAK-Nisma kunder Albin Kurtit

E publikuar: 09/03/2024 06:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kanë kaluar pak javë prej se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka hyrë në vitin e katërt të mandatit qeverisës.

Zgjedhjet e fundit parlamentare janë mbajtur me 14 shkurt të vitit 2021, ku Lëvizja Vetëvendosje doli fituese dhe siguroi një shumicë të fortë në parlament.

Në bazë të kalendarit zgjedhor, zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të duhej të mbaheshin në vitin 2025, mirëpo me fillimin e këtij viti siç duket gjërat do të ndryshojnë.

Aleatë të afërt të Kurtit por edhe blloku opozitar, po lënë të nënkuptojnë se viti 2024 do të jetë vit zgjedhor.

Derisa jemi te opozita, burime brenda Partisë Demokratike të Kosovës kanë treguar për infosot.com se partitë opozitare PDK, LDK, AAK e Nisma Socialdemokrate veçse ia kanë filluar “punës”.

Burimet e afërta me redaksinë tonë kanë treguar se, partia opozitare PDK ka dhe është duke zhvilluar takime të ndryshme me partitë tjera opozitare për “metoda” se si të dalin fitues nga këto zgjedhje të parakohshme.

Duke u bazuar në këto burime, PDK së pari i ka ofruar partneritet partisë së Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate, për të formuar së bashku një koalicion parazgjedhor. Por, Limaj nuk ka qenë i kënaqur nga “përfitimet” që do t’i sillte ky koalicion, sepse sipas burimit, Limaj ka kërkuar që në rast të fitores, ta mbajë ai postin e kryeministrit të Kosovës.

Se PDK ka zhvilluar bisedime me NISMA-n e ka vërtetuar mbrëmë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Nismës, Bilall Sherifi, përcjellë infosot.com

Sherifi tha se Limaj ka qenë në kontakt me PDK-në, “por që këta të fundit nuk kanë shprehur gatishmëri për koalicion”.

“Limaj ka qenë në kontakt edhe me PDK-në edhe me AAK-në në një kohë të gjatë. Për shkak që PDK-ja nuk pati gatishmëri e them këtë hapur dhe publikisht, arsyen nuk e di, ata mund t’i shpjegojnë arsyet. Haradinaj, vazhdimisht ka kërkuar dhe i ka bë ofertë Limajt që të lidhim një koalicion.” – tha ai në një emision televiziv.

Pas kësaj, në janar të këtij viti Nisma formoi koalicon me partinë e Ramush Haradinajt, ku pastaj iu është bashkangjitur edhe “Forumi Intelektual Evropa 2030” dhe Lista Konservatore.

Por informacionet nga burimet e infosot nuk mbarojnë këtu!

Tashmë në dy partitë më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, po flitet për një koalicion të sigurt, por paszgjedhor.

Sipas burimeve, vendimet tashmë janë marrë dhe po priten vetëm zgjedhjet, mundësisht të parakohshme!

PDK dhe LDK do të formojnë koalicion paszgjedhor, të bindur se nga këto zgjedhje do t’i fitojnë së paku nga 20% të votave të elektoratit dhe kështu presin ta konkurojnë partinë udhëheqëse të vendit – Vetëvendosje, në krye me Albin Kurtin.

Në rast të “skenarit më të mirë”, pra nëse VV-ja nuk del me fitore me mbi 50%, ky koalicion paszgjedhor (PDK-LDK) do t’i ofrojë partneritet edhe koalicionit tashmë zyrtar AAK-Nisma dhe kështu t’i mbledhin forcat bashkë për ta rrëzuar qeverinë e tanishme.

Duke u bazuar në burimin e redaksisë, në koalicionin paszgjedhor PDK-LDK është vendosur edhe për emrin e “kryeministrit të ri”, i cili do të jetë nga radhët e PDK-së.

Përndryshe, që nga mbarimi i luftës së vitit 1999, në Kosovë janë mbajtur tetë palë zgjedhje parlamentare. Ndër to, vetëm tri herë zgjedhjet janë mbajtur në mënyrë të rregullt, ndërsa pjesa tjetër, kanë qenë zgjedhje të parakohshme.

Jetëgjatësitë e qeverive kanë zgjatur disa vite por ka pasur raste sikurse ai i qeverisë paraprake të drejtuar nga Avdullah Hoti, ku mandati i saj ka zgjatur vetëm gjashtë muaj.