Retired U.S. Army general Wesley Clark speaks during a Bloomberg Television interview inside the Bloomberg Link at the Democratic National Convention (DNC) in Charlotte, North Carolina, U.S., on Tuesday, Sept. 4, 2012. San Antonio Mayor Julian Castro, a Stanford University and Harvard Law School graduate, has the role of first Hispanic keynote speaker at the Democratic National Convention. Photographer: David Paul Morris/Bloomberg via Getty Images
Përfaqësues të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë për Energji (KOSID), u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos përkrahin projektet për hulumtimin e mineraleve energjetike të Kosovës, me qëllim të, siç thonë, ”ndalimit të degradimit mjedisor dhe social në vend”.
Kërkesa drejtuar deputetëve u bë në kohën kur kompania kanadeze “Envidity Energy Kosova” është në pritje të votimit në Kuvendin e Kosovës, për të marrë licencën për hulumtimin e mineraleve energjetike në Kosovë.
Kompania thuhet se drejtohet nga gjenerali tashmë në pension, Wesley Clark, i cili kishte udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s, mbi objektivat serbe në vitin 1999.
Projekti që ka të bëjë më gazifikimin nëntokësor të qymyreve të Kosovës dhe prodhimin e gazit sintetik, diellit dhe kerozinës,sipas zyrtarëve të qeverisë konsiderohet me interes publik dhe fitimprurës, përderisa përfaqësues të shoqërisë civile e vënë në dyshim projektin për shkak të, siç thuhet, “ teknologjisë jo adekuate dhe ndotjes së ambientit”.
Visar Azemi, nga Konsorciumi, ka thënë se asnjë vend evropian nuk përdorë teknologjinë për gazifikimin e qymyrit për të krijuar naftë sintetike dhe kerozinë. Kosova është vend i vogël, thotë ai,për të eksperimentuar me një projekt aq të kushtueshëm.
“Problemi tjetër që kemi has gjatë këtyre hulumtimeve është edhe teknologjia në fjalë, më ç’rast në shumë pak vende nëpër botë ka pasur një projekt të tillë. Ajo çka vlen të ceket është se Gjermania nuk ka lejuar as testimin e kësaj teknologjie, për shkak se nuk është teknologji e provuar, është diçka e re dhe nuk dihen ende pasojat e saj.”
“Në Australi, ka pasë një projekt ku pas pak javësh është revokuar licenca nga autoritetet atje, për shkak të dëmeve që kanë shkaktuar këto shpime në ujërat nëntokësore dhe në helmimin e tokës”, thotë Azemi.
Kompania “Envidity” në vitin 2013 kishte aplikuar për licencë në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, (KPMM), për hulumtimin e sipërfaqes të mbi 3 mijë e 400 kilometrash.
Por, në këtë vit kanë ndodhur ndryshime edhe në Ligjin për Miniera dhe Minerale. Më këto ndryshime janë eliminuar procedurat konkurruese tenderuese. Në këtë mënyrë, licencat për hulumtim dhe eksploatim të mineraleve jepen pa ndonjë proces konkurrues, pasi projektet përbëjnë interes publik.
Ilir Rama, nga Departamenti Qendror për Partneritetin Publiko -Privat, që funksion në kuadër të Ministrisë se Financave, ka thënë se kompaniaplotëson kushtet për t’i shpallë interes publik.
Rama më tutje ka ripërsëritur qëndrimin qeveritar për përfitimet nga zbatimi i këtij projekti.
“Projekti ka vlerën kapitale prej jo më pak se 30 milionë euro dhe ka potencial që të krijojë 80 vende të reja të punës, pasi që fillon faza e shfrytëzimit të mineraleve energjetike. Projekti është në pajtim me standardet mjedisore të përcaktuara me ligjet e Kosovës. Projekti nuk është në kundërshtim me detyrimet e Republikës se Kosovës të përcaktuara me Konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare”, thotë Rama.
Por, përfaqësues të shoqërisë civile pohojnë se edhe pse investimet do të jenë mbi 30 milionë euro, përfitimi i shtetit do të jetë minimal, pasi sipas tyre, me të “merren përsipër vetëm rreziqet pa asnjë përfitim real për publikun”. Madje, ky projekt thuhet se do të shkaktojë zhvendosjen e qytetarëve.
Edhe në mbledhjen e së hënës të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të partive opozitare kanë kërkuar sqarime shtesë për dhënien e licencës për kompaninë e ish-gjeneralit Wesley Clark, ashtu siç kanë bërë edhe në mbledhjet e Komisionit Parlamentar pak ditë më parë.
Kuvendi i Kosovës, megjithatë, pritet të marr një vendim për këtë çështje brenda ditësh. (REL)