Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Jeton Zulfaj, i ka reaguar Komisionerit për Zgjerim të BE-së, Oliver Varheyli, i cili ka kërkuar nga Kosova që të bëjë përparim në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe që ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese.
Zulfaj i cili udhëton me Kurtin në takimet e Brukselit që lidhen me dialogun, me një gjuhë jo edhe shumë diplomatike, i ka thënë Komisionerit të BE-së që dialogu është punë e tjetër kujt dhe i ka sugjeruar që të fokusohet në procesin e zgjerimit.
“E pash sugjerimin tuaj, z Varhelyi, për Asociacionin në Kosovë, pa e përmendur Marrëveshjen Themelore të Brukselit, njohjen reciproke dhe raportet e mira fqinjësore. Ndoshta është më mirë për ju të fokusoheni në zgjerimin e BE-së, meqë dialogu është në portfolion e dikujt tjetër”, ka shkruar Zulfaj.
Varhelyi, siç ka njoftuar Komisioni Evropian, ka kërkuar nga Kosova që të procedojë me dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të Draftit për Asociacionin.
“Është e qartë se rrugët evropiane të Serbisë dhe Kosovës kalojnë përmes dialogut. Presim që palët të vazhdojnë me përpjekjet e vazhdueshme për deeskalim dhe përparim në zbatimin e obligimeve të tyre, në kuadër të dialogut – duke filluar me dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, ka njoftuar Komisioni Evropian.