Kuvendi i Kosovës nuk e merr parasysh kërkesën e Ministrit të Drejtësisë që të tërheqë nga procedura vendimin me emrat e propozuar për Komisionin e Provimit të Jurisprudencës.
Komisioni për Legjislacion dhe Mandate i ka kërkuar qeverisë të sqarojë se çfarë duhet të bëjë me propozimin e saj për Komisionin e Jurisprudencës, pasi kërkesa e Ministrit të Drejtësisë është jashtë procedurave të rregullores së Kuvendit, raporton KTV.
Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, ka thënë se ministri i Drejtësisë i ka dërguar Komisionit tri letra por që asnjëra nuk mund të merret për bazë.
Edhe anëtarët tjerë të komisionit kanë dhënë mendimet e tyre rreth kërkesës së ministrit të Drejtësisë.
Sidoqoftë, Komisioni ka vendosur që javën e ardhshme të diskutojë për emrat e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, pasi qeveria të qartësohet se çfarë do të bëjë me ta.
Komisioni për Legjislacion dhe Mandate do ta diskutojë edhe propozimin e deputetit të pavarur Korab Sejdiu, që në kuadër të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës të jenë edhe përfaqësues nga Oda e Avokatëve të Kosovës.

















