Procesi mësimor për të miturit në Qendrën Korrektuese në Lipjan po zhvillohet me shumë vështirësi.
Ndër problemet kryesore janë mungesa e teksteve mësimore, mosmbajtja e të gjitha lëndëve, numri i vogël i mësimdhënësve dhe mësimi në klasa të kombinuara, shkruan sot Koha Ditore.
Këto të dhëna janë evidentuar së fundi në një raport të Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF).
Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi, ka thënë se gjatë periudhës monitoruese kanë konstatuar vështirësi të shumta në mbarëvajtjen e sistemit arsimor.
Problemet, sipas saj, janë si në aspektin e organizimit të procesit arsimor ashtu edhe në cilësinë e mësimdhënies dhe mungesën e orëve të rëndësishme mësimore, duke rezultuar në nivel arsimor shumë të dobët.
Sipas saj, bashkimet e klasave shihen si ndër sfidat kryesore të mësimdhënësve të cilat cenojnë rëndë mbarëvajtjen dhe cilësinë e procesit mësimor, duke përfshirë mësimdhënien dhe mësimnxënien.

















