Koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve KOMF, ka reaguar lidhur me rekomandimet për zbatimin e legjislacionit dhe rritjen e investimeve për fëmijë. E krejt këto të gjetura nga Raporti i Progresit për Kosovën që janë publikuar më 10 nëntor 2015, ku përfshihen edhe rekomandimet në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.
Sipas KOMF-it, Raporti i Progresit vë në pah mungesën e zbatimit të legjislacionit i cili ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Sa i përket mbështetjes financiare, KOMF thotë se raporti thekson që Kosova duhet të sigurojë që komunat të kenë burime të mjaftueshme për të ofruar shërbime sociale brenda përgjegjësive të tyre, njëherit alokimi i buxhetit duhet të bëhet në mënyrë që të ketë decentralizim efektiv, raporton lajmi.net.
“Raporti përmend financimin e pamjaftueshëm në sektorin e shëndetësisë, me ç’rast financimi i pamjaftueshëm për sektorin e shëndetësisë pamundëson plotësimin e nevojave bazë për shëndetin e nënës dhe fëmijës, shëndetin publik, e cila reflekton në zhvillimin e fëmijës”, thuhet në reagimin e tyre.
Për KOMF-in, raporti thekson qasjen jo të plotë në arsimin parashkollor apo edukimin në fëmijërinë e hershme, me ç’rast vetëm 4.5% e fëmijëve janë përfshirë në arsimin parashkollor (mosha 0-5), ndërsa 74% e fëmijëve të moshës 5-6 vijojnë arsimin parafillor. “Sa i përket arsimit gjithëpërfshirës, ndër tjera raporti rekomandon sigurimin e qasjes në arsim cilësor për fëmijët me aftësi të kufizuara si dhe zbatimin e legjislacionit që ka të bëjë me braktisjen e shkollës.
Raporti gjithashtu cekë nevojën për vlerësimin e zbatimit të strategjisë 2009-2013 dhe planit të veprimit për të drejtat e fëmijëve si dhe zhvillimin e një strategjie të re dhe faktin se Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve duhet të shmang dyfishimin e legjislacionit ekzistues për të drejtat e fëmijëve”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
KOMF pohon se në vazhdimësi i ka rekomanduar Qeverisë dhe komunave, investimin në fushën e mirëqenies sociale, arsimit dhe shëndetësisë. KOMF vazhdon të qëndrojë prapa rekomandimeve të ofruara, të cilat janë prekur edhe nga raporti i progresit. Rekomandimet e KOMF janë si më poshtë:
Hartimin e politikave për avancimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor në përmirësimin e pozitës së fëmijëve përmes Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, akteve nënligjore përkatëse si dhe hartimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve;
Rritjen e investimeve në fushën e mirëqenies dhe mbrojtjes sociale, përfshirë krijimin e grantit specifik për shërbimet sociale në kuadër të komunave;
Krijimin e planeve konkrete për politikat e nevojshme dhe rritjen e investimeve për të siguruar shërbime cilësore shëndetësore, përfshirë sigurimin e qëndrueshmërisë së fondit për fëmijët me sëmundje të rënda, që kërkojnë trajtim adekuat jashtë shtetit;
Rritjen e investimeve në rritjen e cilësisë së arsimit dhe zbatimin efikas e të ligjeve dhe akteve tjera nënligjore, të cilat rregullojnë gjithëpërfshirjen dhe qasjen në arsim, parandalimin e braktisjes dhe parandalimin e dhunës në shkolla;
Fokusi i veçantë në mbrojtjen më të madhe sociale për të gjithë fëmijët në nevojë për mbrojtje institucionale, përfshirë fëmijët e braktisur dhe fëmijët pa përkujdes prindëror, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët në varfëri, fëmijët e keqtrajtuar dhe të lënë pas dore, fëmijët viktima të shfrytëzimit dhe trafikimit, fëmijët e përfshirë në punë të rënda etj./lajmi.net.


















