Qielli i natës do të gjallërohet këtë fundjavë, pasi një kometë e gjelbër do të kalojë pranë tokës, me në sfond shiun e meteorëve geminid.
Comet 46P/Wirtanen nisi të shndrijë në nëntor, por ajo do t’i afrohet tokës në distancën më të afërt të dielën dhe do të jetë e dukshme me sy të lirë. Kometa do të jetë më pak se 7 milionë milje larg tokës, një afërsi kjo që nuk do të përsëritet të paktën për 20 vitet e ardhshme.
E kjo është një distancë 30 herë më e madhe se ajo mes hënës dhe tokës. Kometa, do të jetë më e shndritshme më 16 dhjetor, por edhe tani ajo mund të shihet në qiellin e natës.
Sipas ekspertëve, janë të pakta ato kometa që shkëlqejnë aq sa për t’u parë me sy të lirë. Kometa e krishtlindjes, siç është quajtur, shfaqet në qiell një herë në çdo pesë vite, ndërsa endet rreth diellit.
Por, ashtu siç është këshilluar nga NASA edhe për shiun e meteorëve që prej dy netësh po zbukuron qiellin, duhet të ndodhesh në një zonë pa shumë ndriçim, për të pasur përjetimin më të mirë të mundshëm.