Komedianët rusë tentuan të mashtronin edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, ai i zbuloi

E publikuar: 26/03/2025 22:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka rënë viktimë e dy komedianëve rusë Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të njohur si Vovan dhe Lexus, pak pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

Dy humoristët publikuan videon e bisedës me Kurtin në platformën Rumble, ku po shtireshin si presidenti i Letonisë, Edgar Rinkevics.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, konfirmoi incidentin përmes një postimi në X, duke thënë se kjo ndodhi më 11 shkurt, vetëm dy ditë pas zgjedhjeve.

Ai e arsyetoi rënien e kryeministri pre e mashtrimit duke thënë se gjatë asaj kohe, Kurti po merrte telefonata të shumta urimi, pasi partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, doli e para në zgjedhje me rreth 42 për qind të votave.

“Për shkak të kohës së kufizuar, nuk ka qenë gjithmonë e mundur të kryheshin verifikime të thella të çdo thirrjeje”, tha Kryeziu.

Nuk është hera e parë që ata përpiqen të mashtrojnë liderë të Ballkanit.

Një përpjekje e ngjashme është bërë edhe ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, por ai kishte thënë se kabineti i tij ishte treguar i kujdesshëm dhe kishte parandaluar mashtrimin.

“Mashtruesit kanë pretenduar të depërtojnë edhe në zyrën time, mirëpo ka pasur kujdes maksimal prej institucioneve këtu, sepse unë nuk mund të flasë me dikë ma qenë paraprakisht i informuar pa i njohur temat që mund ti flasë dhe pastaj pa u lidhur të dy kabinetet të presidentit të Kosovës me autoritetin që dëshiron të flasë”.

“Ka qenë para shtatë-tetë muajsh kjo përpjekje e tyre për të biseduar me mua si president i Kosovës, falënderoj kabinetin që janë treguar të kujdesshëm dhe e kanë preventuar këtë mundësi të një komunikimit të drejtpërdrejtë të këtyre dy mashtruesve në emër të ish-presidentit Petro Poroshenko”, deklaronte atëherë Thaçi sipas mediave vendase.