Kombi e humbi shkrimtarin më të madh. Ismail Kadare vdiq dhe madhështia e tij doli në pah si kurrë më parë. Edhe Franca u ndje e nderuar që atje qëndroi për disa kohë ky shqiptar. Mediat më të mëdha të botës e dhanë lajmin për mortin të hënën duke e radhitur emrin e Kadaresë krahas krijuesve më të mëdhenj të botës, si për ta ndërgjegjësuar edhe popullin e shkrimtarit që s’jeton më për peshën e rëndë të kësaj humbjeje.
Shqiptarët u duk se deri dje nuk ishin mjaftueshëm të ndërgjegjshëm se në mesin e tyre e kishin një shkrimtar të madh, një monument letrar të përmasave globale.
Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e së hënës në moshën 88-vjeçare, pas një sulmi në zemër.
Nga Shqipëria e Kosova, për një kohë të gjatë bota nuk pa e as s’dëgjoi asgjë pozitive. Dhe kur nga larg vështrimi binte këndej nga vendi që ishte nën diktaturën komuniste, emri i shkrimtarit të lindur në Gjirokastër arriti të bëhej i njohur gjithandej. Mbi 80 romane, tregime, përmbledhje me poezi dhe ese janë në korpusin e Ismail Kadaresë, shumica e veprave të të cilit janë të përkthyera në mbi 45 gjuhë.
Këndej, një lajm në mediat e huaja që ka të bëjë me Shqipërinë a Kosovën merret përherë më seriozisht. Dhe lajmin për vdekjen e Kadaresë e dhanë të gjitha mediat e mëdha ndërkombëtare. Titujt e tyre sikur po i ndërgjegjësonin shqiptarët se sa e madhe ishte kjo humbje, jo vetëm për ta. Shumë prej bashkëkombasve të Kadaresë i shpërndanë ato lajme, për të treguar në këtë mënyrë krenarinë dhe dhimbjen për të.
The New York Times shkroi në krye të lajmit për vdekjen e shkrimtarit shqiptar se ai u krahasua me George Orwellin, Franz Kafkën, Gabriel Garcia Maequezin e Milan Kunderën, të cilët përmes metaforës, humorit dhe mitit kishin përçuar kritikën e tyre ndaj pushtetit dhe se Ismail Kadare “eci në litarin e ngushtë politik me vepra kritike për shtetin e tij totalitar”.
Në titull, NY Times shkroi se ka vdekur njeriu, romanet e të cilit “e sollën vuajtjen e Shqipërisë në botë”.
Gazeta amerikane shkroi se Ismail Kadare i vetëm e shënoi atdheun e tij të izoluar ballkanik në hartën e letërsisë botërore, duke krijuar vepra shpesh të errëta, alegorike që e kritikonin shtetin e tij totalitar.
Në një karrierë letrare që zgjati gjysmë shekulli, Kadare shkroi një sërë librash, përfshirë romane dhe përmbledhje me poezi, tregime të shkurtra e ese. Duke sjellë në vëmendje këtë, NY Times shkroi se ai fitoi famë ndërkombëtare në vitin 1970 kur romani i tij i parë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, u përkthye në frëngjisht dhe kritikët europianë e vlerësuan si kryevepër.
Gazeta amerikane publikoi më pas edhe një “udhëzues për librat e Ismail Kadaresë”, ku shkroi se me veprat e tij të përkthyera në dhjetëra gjuhë “Kadare i ofroi Perëndimit një pamje të jetës në atë që për vite me radhë ishte një shoqëri shumë e mbyllur dhe vendi i fundit në Europë që e braktisi komunizmin”.
“Kadare mori famë ndërkombëtare gjatë një prej kapitujve më të errët të Shqipërisë: diktaturës së Enver Hoxhës, tiranit komunist që vdiq në vitin 1985. Për dekada, Kadare jetoi me frikë. Ai eci në një vijë të kujdesshme, duke kritikuar dhe qetësuar në mënyrë të alternuar regjimin”.
“Romanet e tij, të mbështjellë me legjendë, të zhytur në satirë dhe shpesh të maskuar në metaforë, shpesh u jepnin lexuesve një dritare të qartë në psikologjinë e shtypjes”, shkroi NY Times.
“Ismail Kadare, gjiganti i letërsisë shqiptare, vdes në moshën 88-vjeçare”, ishte titulli i The Guardian.
Gazeta britanike shkroi se “tregimet e tij alegorike, të informuara nga jeta nën komunizmin shtetëror, tërhoqën vlerësime ndërkombëtare” dhe kujtoi se ai eksploroi historinë dhe kulturën e Ballkanit në poezi dhe letërsi artistike për më shumë se 60 vjet.
Guardian shkroi se pas largimit për në Paris, reputacioni i tij vazhdoi të rritej, ndërsa ai u kthye më pas në atdhe.
Guardian më pas publikoi edhe një nekrologji për Ismail Kadarenë, shkrimtarin e madh shqiptar që “eksploroi shëmtinë dhe dinjitetin e këtij kombi të lashtë dhe të shtypur prej kohësh”.
Kadarenë, gazeta britanike e cilësoi si “një nga romancierët më të shquar europianë të kohës sonë”.
Mbi 80 romanet, tregimet, përmbledhjet me poezi dhe esetë e Kadaresë përbëjnë një monument kombëtar, një zbulim si dhe një pasqyrim të asaj se çfarë do të thotë të jesh shqiptar, një eksplorim i shëmtisë dhe dinjitetit të një kombi të lashtë dhe të shtypur. Me të shuhet edhe shkrimtari i fundit kombëtar i padiskutueshëm i Europës, shkroi Guardian.
Për vdekjen e Kadaresë kanë shkruar edhe mediat më të mëdha franceze. Gazeta Le Monde shkroi se vdiq “shkrimtari i madh shqiptar”, i cili ishte “fitues i çmimeve më prestigjioze” dhe veprat e të cilit u përkthyen “në mbarë botën”. Ndërkaq, kujtoi fjalët e shkrimtarit në një intervistë për gazetën në vitin 2001, kur fliste për Shqipërinë e kohës së komunizmit: “Ata që lekturojnë më thotë: ‘Nuk ishe i sinqertë me diktatorët’. Por a është e nevojshme të jesh i sinqertë me banditët dhe kafshët e egra?”.
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve me seli në Paris, Agence France-Presse, shkroi se si “romanet e tij sfiduan diktaturën”.
“Ismail Kadare: Një dritë e shndritshme në ditët më të errëta të Shqipërisë”. ishte titulli i AFP-së, të cilin e mori edhe France 24 kur raportoi për vdekjen e shkrimtarit, duke shkruar se romancieri shqiptar “e përdori stilolapsin e tij si një armë të fshehtë për t’i mbijetuar diktatorit komunist paranojak të Shqipërisë Enver Hoxha”.
Se vdiq “romancieri shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare”, raportuan edhe agjencitë më të njohura ndërkombëtare të lajmeve, Reuters e Associated Press.
Krerët e shteteve në Kosovë e Shqipëri reaguan natyrshëm për humbjen e “më të madhit”. Për të, një reagim e lëshoi sot edhe Presidenca franceze.
Institucioni i udhëhequr prej presidentit francez Emmanuel Macron, i cili vitin e kaluar ia dha Kadaresë titullin “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit”, tha se shkrimtari shqiptar “e nderoi Francën duke e zgjedhur atë si azil të krijimit të tij”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shkroi të hënën se “asnjë fjalë s’më vjen në këtë moment” ndërsa njoftoi se sapo e kishte mësuar lajmin e trishtueshëm për vdekjen e “monumentit më të madh të kulturës shqiptare”.
Shkrimtari e akademiku Rexhep Qosja, i cili kishte pasur disa polemika e mospajtime me Ismail Kadarenë, shkroi dje se ai “në të përtashmen dhe në të gjithë të ardhmen do të jetë personalitet madhështor historik i Kombit Shqiptar”.
“Në letërsinë evropiane është bërë historike bindja e pranuar prej krijuesve më të shquar evropianë se ata që polemizojnë me njëri tjetrin ata polemizojnë sepse e nderojnë dhe e duan njëri tjetrin”, shkroi Qosja.
Askush s’mund t’i reagonte me mospajtim as poetit dhe profesorit universitar, Agim Vinca, i cili në Frontal në T7 tha se “epiteti i madh ndonjëherë përdoret në mënyrë abuzive, por në këtë rast kurrsesi jo”.
Mes reagimesh, Blendi Fevziu, gazetari që pati fatin ta intervistonte disa herë Ismail Kadarenë, kërkoi që ai të varroset në altarin e kombit në Kodrat e Liqenit te Tiranës pranë Vëllezërve Frashëri, Faik Konicës e Mithat Frashërit.
Shqipëria është në zi dhe në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar u ul në gjysmështizë për nder të Kadaresë. Në Kosovë ditë zie është shpallur e mërkura.