Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ferenc Kajari ka folur për situatën e sigurisë në Kosovë, veçmas në veri të vendit si dhe për mundësitë e trazirave në rast të mosarritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sa i përket zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e automjeteve dhe letërnjoftimeve për qytetarët serbë.
Komandanti i KFOR-it ka vlerësuar se gjendja e sigurisë në pjesën veriore është qetësuar pas ngjarjeve të fundit, teksa ka thënë se pret që negociatat që janë në vazhdim të rezultojnë me një marrëveshje.
Ai ka pranuar se KFOR-i e ka rritur praninë e vet në veri të vendit. “KFOR-i ka vendosur pikat e vrojtimit dhe pikat e kontrollit teknik në të gjithë hapësirën. Po ashtu, kemi rritur edhe aktivitetin patrullues në gjithë rajonin. Këto masa janë marrë për të qenë në gjendje për çfarëdolloj incidenti dhe për një siguri më të madhe. Nëse ka tensione, ne do të veprojmë sipas mandatit tonë”, ka thënë Kajari.
Ai foli edhe për grafitet kërcënuese të serbëve, për kërkesën e presidentit serb Vuçiq që KFOR-i të vendoset tek ura e Ibrit, për rrezikun eventual për luftë, për shtimin e forcave serbe në afërsi të kufijve të Kosovës dhe shumëçka tjetër.
Kajari nuk deshi të komentoi atë nëse presidenti i Serbisë i ka kërkuar përqendrimin e trupave të KFOR-it mbi urën e lumit Ibër. Komandanti i KFOR-it tha se për aktivitetin e misionit ushtarak të KFOR-it vendosin vetë ata dhe askush tjetër.
Ai foli edhe për grafitet në veri të Kosovës dhe pohoi se në rast të rrezikimit të sigurisë, KFOR do të vepronte dhe për këtë mbledh fakte. “Bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është i rregullt dhe mjaftë i mirë dhe ata koordinojnë aktivitet në terren si dhe disa patrullime të përbashkëta”, tha Kajari.
Sipas tij, KFOR ka resurset e veta dhe po monitoron me kujdes situatën në vijën kufitare administrative dhe nuk kanë vërejtur diçka të veçanet, nuk ka evidentuar asnjë aktivitet të pazakonshme.
Sa i përket rrezikut potencial për luftë në Kosovë, komandanti i KFOR-it ka qenë i qartë.
“Përgjigja më e thjesht është jo. Mendoj se lufta nuk është çështje relevante besoj unë. KFOR-i nuk ka parë asnjëlloj indikacioni për një ngjarje të tillë. Nuk ka kërcënim për luftë në këtë pjesë, NATO dhe KFOR-i janë këtu”.
“NATO për një kohë relativisht të shkurtër, mund të shtojë trupa ushtarake dhe mjete shtesë nëse për këtë ka nevojë, por nuk është mirë të flitet për luftë, këtë e kemi diskutuar edhe me kryeministrin Kurti”, tha Kajari në “RTK Prime”.
Komandant Kajari tha se, FSK-ja dhe NATO kanë një marrëveshje për aktivitetin e FSK-së në veri të Kosovës dhe në bazë të kësaj ata nuk mund të shkojnë atje pa pëlqimin e komandantit të KFOR-it. sipas tij kështu ka qenë edhe më parë dhe për këtë janë pajtuar të gjithë.
Tutje ai tha se siguria në Manastirin e Deçanit nuk është rrezikuar asnjëherë.
“KFOR është përgjegjës për sigurinë e Manastirit të Deçanit dhe është objekti i fundit për të cilin kujdesemi ne, të tjerat i janë dorëzuar Policisë së Kosovës, dhe ata po bëjnë një punë të shkëlqyeshme për mbrojtjen e këtyre objekteve fetare, si dhe të sigurisë e qetësisë atje”, tha Kajari.
Ai thotë se KFOR-i do të jetë përgjegjës për Manastirin e Deçanit deri te një vendim për dorëzimin e tij te Policia e Kosovës apo autoritete të tjera.
“Po e përsërisë se gjatë komandimit tim nuk kemi pas asnjë kërcënim fizikë ndaj Manastirit dhe nuk na është dashtë të angazhohemi që ti aktivizojmë trupat tona për siguri në atë zonë”, tha Kajari.
Komandanti i KFOR-it foli edhe për bashkëpunimin me Forcat e Sigurisë së Kosovës brenda mandatit që ka, siç është largimi i mjeteve shpërthyese, ndihma humanitare dhe kërkim shpëtimit.
“Është treguar shumë herë se Forcat e Sigurisë së Kosovës janë shumë të afta në zbatimin e detyrave të veta”, tha Kajari.
Kajari tha se KFOR-i përcjell aktivitetet e të gjitha grupeve.
Sa i përket aktivitetit grupeve kriminele serbe në veri, gjeneralmajor Kajari tha se KFOR-i i përcjellin me kujdes aktivitetin në brenda atyre zonave.
“Ne i përcjellim aktivitetet e të gjitha grupeve të cilat veprojnë brenda zonës tonë të operimit dhe kjo do të thotë që jemi në përcjellje të gjitha deklaratave të tilla”, tha ai dhe shtoi se Rezoluta e mandaton KFOR-in që të ruajë situatën e sigurisë në Kosovë, dhe ai do të veprojë për të siguruar një mjedis të sigurt.
“Ne do ti përdorim të gjitha kapacitetet tona sipas nevojës për të rikthyer dhe për të ruajtur situatën e sigurisë. KFOR-i i ka gjitha të kapacitetet e nevojshme dhe resurset e duhura, si dhe mandatin për të vepruar kundrejt të gjitha grupeve që mund ta kërcënojnë sigurinë në gjithë zonën”, tha Kajari për RTK.
Ai tha se KFOR-i nuk bën arrestime të individëve, sepse nuk është nën mandatin e tyre. Por nëse paraqitet nevoja për të reaguar ndaj grupeve të dhunshme që rrezikojnë sigurinë, atëherë KFOR-i gjithsesi ka të drejtë të ndalojë ata që i rezistojnë aktivitetet e KFOR-it. Detyrë primare e KFOR-it është parandalimi i dhunës dhe krijimi i kushteve të favorshme për negocim. “Nëse shohim rritje të tensioneve dhe negociatat të mos jenë të suksesshme, ne do të veprojmë sipas mandatit tonë”, tha ai.
Komandanti i KFOR-it tha se, në rast se individë të caktuar pengojnë aktivitetin e KFOR-it, do t’i ndalonin ata dhe do t’i dorëzonin tek autoritetet përkatëse.
Ai thotë se KFOR-i nuk do të lejojë barrikadimin e rrugëve
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ferenc Kajari tha se KFOR-i nuk do të lejojë barrikadimin e rrugëve, sepse Rezoluta 1244 e OKB-së i jep dy detyra KFOR-it në Kosovë, që ai i ka quajtur detyra madhore: ‘Për ta mbajtur mjedisin e sigurt dhe rregullin në Kosovë dhe për ta ruajtur lirinë e lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët’.
“Nëse krijohen barrikada kjo e pengon lëvizjen e lirë dhe nëse nuk arrihet marrëveshja, atëherë do të arrijmë në një moment ku KFOR-i do të duhet të veprojë për të mundësuar lirinë e lëvizjes”, ka shtuar Kajari.
Ai ka kërkuar nga të gjitha palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe për gjithçka të negociohet dhe të arrihet marrëveshje politike, pasi sipas tij ‘vendosja e barrikadave nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës’.