Sonte në emisionin “Puls” të KTV-së, i ftuar ishte Rrustem Mustafa – Remi, Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-Komandanti i Zonës Operative të Llapit.
Në emisionin, Remi është përgjigjur në shumë çështje, nga haraçi, SHIK-u, PDK-ja, pasurimi enorm i politikanëve, listat e veteranëve etj..
“Unë ju falënderoj që më keni ftuar të sqarohem rreth rrahjes së afaristit Eroll Vitaku. E pashë që Z. Eroll Vitaku ka përmendur emrin tim dhe këto ngjarje të rënda duhet të publikohen gjithsesi. Personin, i cili më ka apostrofuar, unë nuk e njoh, pra Eroll Vitakun, dhe unë kam shprehur keqardhje atë natë kur e kam pa personin që është keqtrajtuar. Kam informatë se ai ka mundur të ketë pas shtytje të tjera me përhapë flluska se të gjithë ne merremi me punë joligjore, ose është i shtrënguar në borxhe që i ka ai prapa, dhe mendoj se mund të ekzistojë diçka mbrapa këtyre deklaratave dhe për këtë unë kam kërkuar që gjyqësia ta bëjë punën e vet. Unë i kam bërë padi zotit Eroll Vitaku se mendoj se mund të qëndrojnë grupe tjera pasi më është lakuar emri në kontekstin negativ. Unë nuk e njoh Eroll Vitakun, as atëherë e as sot, dhe flitet që Eroll Vitaku është njëri prej militantëve të PDK-së. Kështu kam kuptuar në qytet, kam arsye të besoj duke e ditë rrethin ku ai jeton dhe si gjendet pozita e tij në biznes dhe nuk kam dashur ta bëjë të madhe. Kam bërë një padi dhe pres zbulimin e krejt këtij problemi nga gjykata”, ka thënë Remi.
I pyetur nëse i njeh personat që e kanë sulmuar Vitakun, deputeti Mustafa ka thënë se nuk i njeh as ata e as vet Vitakun.
“Unë nuk i njoh individët që e kanë sulmuar z. Vitaku. Me sa di unë, ai djali ka qenë një ushtar i zonës sime por nuk kam arsye të mos i besoj këtij ushtari. Unë kurrë nuk kam dëgjuar që ka përdorur emrin tim, nuk kam arsye që mos t’i besoj dhe pres që gjykata ta sqarojë këtë. Unë pres që gjykata të vendosë dhe kushdo që përmendet në gjykatë me vendim final kredibil nga gjykata që është fajtor atëherë, gjithçka do të përfundojë”, ka theksuar ai.
Në lidhje me pretendimet se deputeti Mustafa është personi që e kontrollon Pallatin e Rinisë, ky i fundit tha se nuk kam nevojë e as nuk e kontrollon këtë objekt.
“Pallati është pronë publike. Si mund ta kontrolloj unë? E di që pas lufte janë fol shumë gjëra”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka pranuar se vëllai i tij ka një lokal në Pallatin e Rinisë tash e një kohë të gjatë, duke theksuar se edhe ai paguan qira si gjithë të tjerët.
Rreth shtëpisë së tij, ish-komandant Remi ka thënë se të gjitha pronat ku ai banon janë legale dhe për to e posedon vendimin e komunës.
“Më besoni se nuk do jetoja diku që është ilegale”, ka thënë ai.
Mustafa ka folur edhe në lidhje me faktin se në shtëpinë e tij në Breg të Diellit është e vendosur Posta e Kosovës, duke theksuar se “çdo gjë ka qenë në bazë të kërkesave dhe i gjithë tenderi ka qenë për qira”.
“Posta paguan rreth 8 mijë euro qira në muaj nëse nuk gaboj”, ka thënë ai.
Tutje, Mustafa ka thënë se nuk ka ndonjë lokal tjetër në Kosovë, siç flitet. “Sipas disa qarqeve, unë gjithmonë jam i involvuar në gjithë Kosovën, në gjithçka. Kështu më kanë apostrofuar. Nëse gjeni diçka në emër timin ose që është e imja, unë jua fali”, ka theksuar deputeti Mustafa.
I pyetur nëse është milioner, a është “Route 66” dhe Pallati i Rinisë i tiji, Mustafa i mohoi të gjitha këto.
Tutje, deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka folur edhe për listat e veteranëve, sikurse edhe për faktin se e ka futur vëllanë e tij në këto lista, ndonëse ai nuk ka marrë pjesë në luftë.
“Emri i vëllait tim është përvjedhur gabimisht në këto lista dhe tani është zgjidhur ky problem”, ka thënë ai.
Ndërkaq, duke qëndruar ende në temën e veteranëve, u fol edhe për faktin se kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbetur jashtë listave të veteranëve, ndërsa kishte deklaruar publikisht se “e din Rrustem Mustafa – Remi që unë nga viti 1992 kam qenë i angazhuar”.
“Lutfi Haziri ka qenë njeri më i besueshëm i sistemit të atëhershëm që ka kontribuar për rrugën e lirisë. E di që kanë shkuar në stërvitje ushtarake në Shqipëri, kanë qenë të udhëhequra nga Ministria e Mbrojtjes dhe sistemi është ashtu si thoni ju dhe si ka thënë Z.Haziri. Ai është hidhëruar pa vend. Ai nuk ka aplikuar për veteran. Ai ka qenë duke iu bashkangjitur radhëve të UÇK-së dhe ka qenë në lidhje me mua. Diku për 4 ditë është vonuar dhe ka rënë në dorë të forcave militare serbe. Për mua edhe sot është veteran i internuar. Ai s’ka mundur ta jap kontributin e tij për shkak të arrestimit të tij. Pra, ai ka qenë njëri prej më të besueshmëve nga ana e Karadakut”, ka thënë Remi.
Rrustem Mustafa – Remi ka folur edhe për politikë, sikurse edhe për Gjykatën Speciale, duke thënë se për dështimet tona nuk janë fajtorë vetëm ndërkombëtarët.
“Ne kemi dështuar, nuk janë fajtorë vetëm ndërkombëtarë. Pasi që ne nuk e bëmë drejtësinë vet, atëherë duhet të krijohet kjo gjykatë dhe është e mirëseardhur. Shikoje Këshillin Prokurorial çka po ndodhë, bordet etj.”, ka thënë deputeti i PDK-së
I pyetur nëse shteti është kapur nga SHIK-u, Mustafa tha: “SHIK-u është shuar. Ka mundësi që elemente të SHIK-ut të organizuara thellë në këto ndërmarrje që janë kriminale e që në dukje nuk duken ende si kriminale e në thelb janë kriminale dhe unë po besoj që Gjykata Speciale do t’i zbuloj dhe do t’i hedhin jashtë loje këta njerëz. Ka pasur njerëz në mënyrë të strukturuar, por jo vetëm kapacitetet e SHIK-ut dhe krahut të luftës, por të të gjitha partive, e kanë sfiduar funksionimin e shtetit dhe rendit ligjor. Pse ndodh kjo? Sepse ndryshe nuk do ishin në pozicione qysh janë sot”, u shpreh Remi.
U pyet edhe në lidhje me sfidat me të cilat përballet sistemi gjyqësor si dhe për faktin se mbajtja në burg e komandantëve të luftës është pothuajse e pamundur.
“Unë mendoj se nuk janë ata komandantë që nuk i binden ligjit dhe rregullave, por janë pseudo-komandantë. Ata asnjë s’kanë qenë komandantë, shumë prej tyre janë bërë pas lufte. Mirëpo, ata janë pak”, theksoi Remi.
Ish-komandanti i UÇK-së tha se Gjykata Speciale duhet të votohet dhe të merret me të gjitha rastet deri në vitin 2008.
“…sepse këto krime që ja kanë zënë frymën vendit, ky centralizim i ndërmarrjeve, ky centralizim i bizneseve, nuk lejon të zhvillohemi. Unë po shpresoj që Gjykata Speciale do t’i zbuloj keqpërdoruesit e parave publike, keqpërdoruesit e ndërmarrjeve publike, keqpërdoruesit që janë marrë me privatizim. Ne kemi dështuar në rend dhe ligj – as UNMIK-u as EULEX-i – ne jemi fajtori kryesor. Duhet urgjent të votohet Gjykata Speciale”, u shpreh deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa.
Mustafa tha se në PDK ka individë që e kanë projekt sfidimin e rendit dhe ligjit, por, tha ai, “si parti kemi interes në shumicë të vendosim rend dhe ligj”.
“Po ashtu nuk them se partia ime është më e pastra në botë, por si PDK kemi interes të vendosim rregull dhe ligj”, tha ai.
Në fund, ai kërkoi nga bashkëluftëtarët që të reflektojnë ashtu siç u ka hije “si në ditët e lavdisë”.
“Duhet t’u binden sistemit ligjor dhe rendit. Ata duhet bile t’i raportojnë edhe dukuritë negative”, theksoi deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Rrustem Mustafa – Remi.