Kocijançiq: Raporti për viza nuk është publikuar (Video)

E publikuar: 15/12/2015 22:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përkundër deklaratave dhe reagimeve në Kosovë, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, ka thënë se raporti për liberalizimin e vizave ende nuk është publikuar.

Ajo ka paralajmëruar se ky raport do të bëhet publik brenda muajit dhjetor.

“Komisioni do ta prezantojë raportin sa më shpejt që është e mundur gjatë këtij muaj”, është shprehur Kocijançiq, për TribunaChannel .

Në rast se rekomandimi do të jetë pozitiv, atëherë janë 28 ministrat e punëve të brendshme të Bashkimit Evropian, të cilët duhet të japin votën e tyre.

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek ka ngritur dyshimet se Kosova nuk do t’i ketë të gjitha këto vota, sidomos kur dihet se ministrat e këtyre shteteve janë ballafaquar me numër të madh të refugjatëve nga shtetet e lindjes

Dialogu për liberalizim të vizave për Kosovën ka filluar në janar të vitit 2012 dhe parashihte përmbushjen e një varg kriteresh, për të cilat pala kosovare shprehet e bindur se ka përmbushur këto kritere.